Ballina Aktualitet

Zyrat e aplikimit për dokumente biometrike, të hapura edhe ditën e shtunë

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Zyrat e aplikimit për dokumente biometrike do të qëndrojnë të hapura edhe ditën e shtunë.

Ministria e Brendshme njofton qytetarët se shumica dërrmuese e zyrave të aplikimit për karta ID dhe pasaporta, do të jenë të hapura edhe ditën e shtunë, nga ora 08:00 e mëngjesit deri në aplikimin e qytetarit të fundit në radhë.

Ky vendim është marrë me qëllim për të lehtësuar fluksin e aplikimeve gjatë ditëve të javës, për shkak të ardhjes në atdhe të shtetasve me banim jashtë vendit, të cilët kanë nevojë të rinovojnë dokumentet e identitetit.

MB thekson se, të hapura të shtunën (14 gusht) do të qëndrojnë të gjitha zyrat e aplikimit në qarkun Tiranë, përfshirë bashkitë Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë.

Në Durrës, rajonet 3, 4, 5 dhe 6, përfshirë zyrat në bashkinë Krujë dhe njësitë administrative Fushë-Krujë, Xhafzotaj dhe Sukth.

Gjithashtu të hapura do të qëndrojnë zyrat në bashkitë Berat, Gjirokastër, Peshkopi, Elbasan, Belsh, Fier, Lushnjë, Divjakë, Korçë, Lezhë, Shkodër, Vau i Dejës, Koplik, Vlorë, Sarandë.

MB rikujton qytetarët se riaplikimi për kartë mund të bëhet në çdo zyrë, pavarësisht vendbanimit.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSiguria ushqimore, AKU tërheq nga tregu akullore me përmbajtje të paautorizuar
Artikulli tjetërUdhëtimi drejt Italisë dhe Greqisë, TIA: I detyrueshëm formulari PLF