Clinton ka refuzuar një çaj me… Elizabeth II?

ROMË, 20 korrik /ATSH-ANSA/ – Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Britaninë e Madhe, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton ka refuzuar një çaj me mbretëreshën Elizabeth II si edhe një darkë në rezidencën e ish-kryeministrit, Tony Blair dhe kjo thjesht për të qenë si një turist në Londër dhe për të provuar një restorant indian, u zbulua nga dokumentet sekrete, të botuara për herë të parë nga Arkivat Kombëtare britanike.

Downing Street, siç mund të shihet nga shënimet e sekretarit privat të Blair, Philip Barton, kishte organizuar vizitën në maj 1997 me shumë detaje, sepse ishte konsideruar thelbësore për “vendosjen e një marrëdhënie të mirë pune” midis kryeministrit të ri britanik dhe presidentit amerikan.

Clintonët, megjithatë, “me mirësjellje” refuzuan të gjitha propozimet në Londër, duke përfshirë një shfaqje të presidentit në saksofon dhe Blair në kitarë, një vizitë në një pub dhe një shëtitje në sheshin ”Trafalgar”.

Të gjitha me synimin për të paraqitur dy udhëheqësit “si të rinj, dinamikë, por edhe seriozë”.

Përfundimisht asnjë nga idetë nuk u materializua dhe Clintonët as nuk darkuan në restorantin indian.

Në vend të kësaj ata u pritën nga Blair në restorantin francez ”Le Pont de la Tour” pranë Tower Bridge, ku ata hëngrën shojzë, salmon të egër dhe lepur për 298 sterlina./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.