AREZZO, 5 korrik /ATSH/ – Kur më thanë se vajza ime nuk ishte më në kopsht, se dikush tashmë e kishte marrë me vete, mendova më të keqen dhe kam kaluar gjysmë ore në ferr, mendova se ajo ishte rrëmbyer.
”Pastaj ma kthyen përsëri, ishte gabim. Ata kërkuan falje, por diçka shumë serioze ka ndodhur”, është rrëfimi i një prindi në faqen e internetit today.it.
Babai 40-vjeçar i vajzës dyvjeçare është i tronditur, pasi fëmija e tij u mor nga kopshti i komunës italiane të Arezzos nga gjyshi i një fëmije tjetër.
Ishte ora 15:45 kur një zotëri u paraqit për të marrë mbesën e tij.
Ai u largua nga kopshti me një vajzë të vogël, një dyvjeçare e cila nuk është mbesa e tij.
Kalojnë disa minuta, dhe, si çdo pasdite, një i afërm i fëmijës, kushërira e babait të saj, shfaqet para hyrjes së çerdhes.
Ajo gjithmonë shkon ta marrë atë në fund të ditës, sepse prindërit janë të zënë në punë.
“Fëmija ka ikur me gjyshin e saj”, do të ishte përgjigjja e marrë, por fëmija nuk ka gjyshër afër që mund të shkonin ta merrnin. Gruaja kështu paralajmëroi babanë e fëmijës.
Por, edhe gjyshi që kishte marrë fëmijën e gabuar, pasi e kuptoi gabimin, u kthye pas.
Ishte ora 16:15 kur vajza e vogël vrapoi në krahët e babait të saj.
”Ajo e kuptoi që diçka nuk shkonte. Unë u qetësova menjëherë kur ajo më tha se i huaji ishte sjellë mirë me të. E kuptova se ishte një gabim”, shtoi ai./ /os/






















