Ballina Ekonomi

BSH miraton mënyrën e re të llogaritjes së fiksit të kursit të këmbimit të lekut

TIRANË, 2 qershor/ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot mënyrën e re të llogaritjes së fiksit të kursit të këmbimit të lekut në Bankën e Shqipërisë.

Ndryshimet e rregullores ekzistuese vijnë me synimin kryesor zhvillimin e tregut të derivatëve në Shqipëri, si instrument mbrojtës ndaj rrezikut të kursit të këmbimit si dhe rritje e transparencës në tregun valutor.

Ndryshimet kryesore konsistojnë në zgjerimin e bazës së pjesëmarrjes së bankave tregtare me 4 banka duke zëvendësuar zyrat e këmbimit valutor si dhe publikimin e 10 bankave pjesëmarrëse të “Fiksit” në faqen zyrtare të internetit të Bankës së Shqipërisë.

Po ashtu, ndryshimet parashikojnë publikimin nga ana e Bankës së Shqipërisë të çmimit “Bid” dhe “Ask” që përfaqësojnë çmimin mesatar me të cilin sistemi bankar është i gatshëm të blejë dhe shesë dollarin amerikan dhe euron kundrejt lekut, si dhe standardizimin e shumës së tregtimit në tregun ndërbankar.

Këshilli Mbikëqyrës në mbledhjen e sotme u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.

/m.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Greqia planifikon vaksinimin e refugjatëve në kampet e Egjeut
Artikulli tjetërPrag Uellsi/ Cikalleshi dhe Bare: Ndeshje me rëndësi të lartë, testojmë veten se në çfarë niveli jemi