PRISHTINË, 31 maj/ATSH/ Në mëngjesin e sotëm ka arritur në Kosovë, zëvendësndihmëssekretar i Shtetit të SHBA-së Matthew Palmer i cili do të qëndrojë në vizitë treditore.
Ambasada Amerikane në Prishtinë ka njoftuar për arritjen e Palmer i cili është pritur nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett. Në shkrimin e ambasadës thuhet se Palmer do të takohet me zyrtarët e institucioneve të Kosovës për të diskutuar për sfidat, mundësitë dhe çështjet me të cilat po përballet vendi.
“Ambasadori Kosnett ka mirëpritur këtë mëngjes në Ambasadën Amerikane në Prishtinë zëvendësndihmës sekretarin tetarin e shtetit të SHBA-së që do të qëndrojë në një vizitë tre-ditore në Kosovë, për të diskutuar me zyrtarët e Kosovës sfidat, mundësitë dhe çështjet e ngutshme me të cilat përballet Kosova”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Palmer takon kreun në detyrë të PDK-së, Hoxhaj
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm, Uran Ismaili dhe anëtarja e kryesisë, Blerta Deliu Kodra kanë takuar zëvendësndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Mathey Palmer dhe ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Phlilip Kosnett.
Sipas një komunikate të PDK-së, në këtë takim është biseduar për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi, pritjet nga ky proces të PDK-së që duhet të përfundojnë me njohjen e ndërsjelltë, rolin opozitar të partisë në jetën politike të vendit si dhe tema të tjera me interes për vendin.
Kryetari Hoxhaj ka sqaruar pozicionin e PDK-së në raport me zhvillimet politike, dhe ka kërkuar një rol më të madh dhe të drejtpërdrejt të Shtetetve të Bashkuara të Amerikës në dialog si partner strategjik i Kosovës.
Palmer takon kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku
Zëvendësndihmëssekretari i ShBA-së, Matthew Palmer dhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett kanë takuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Në këtë takim u diskutua për rolin e ShBA-së në dialogun Kosovë-Serbi.
Nëpërmjet një komunikate nga LDK thonë se “Kryetari Abdixhiku e falenderoi z. Palmer për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe theksoi se SHBA-ja është partneri më i fuqishëm në të gjithë proceset e konsolidimit dhe zhvillimit të shtetit tonë”
Po ashtu, kryetari Abdixhiku e njoftoi Palmer për qëndrimet e LDK-së karshi situatës aktuale politike në vend si dhe qëndrimet e LDK-së për procesin e dialogut Kosovë – Serbi.
Ndërsa zëvendës ndihmës sekretari i SHBA-së, Palmer e falenderoi kryetarin Abdixhiku për konstruktivitetin që LDK-ja ka treguar në formimin e institucioneve.
Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimin ekonomik dhe nevojën që SHBA-ja të ketë rol të fuqishëm në dialog.
Sot dhe nesër në Kosovë do të qëndrojnë edhe përfaqësuesit Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
/KosovaPress/























