PADOVA, 23 mars /ATSH/ – Duke studiuar bazën gjenetike të kancerit të gjirit, studiuesit e drejtuar nga profesor Carlo Foresta i Universitetit të Padovës dhe koordinuar nga Maria Santa Rocca dhe profesor Alberto Marchet të Spitalit Universitar të Padovës kanë identifikuar se një gjen, i quajtur E2F1, mund të infuencojë në rrezikun e kancerit të gjirit, shkruan faqja ”Il Giornale”.
Proteina e prodhuar nga gjeni E2F1 është një rregullator kryesor i ciklit qelizor, ndryshimi i të cilit mund të drejtojë qelizat drejt përhapjes së pakontrolluar.
Në ”kushtetutën” normale gjenetike ekzistojnë dy kopje të gjenit, prandaj, prania e më shumë kopjeve çon në një prodhim më të madh të proteinave që luan një rol të rëndësishëm në mekanizmat e replikimit qelizor.
Risi e këtij studimi ishte ajo e identifikimit të pranisë së një numri kopjesh më të mëdha se dy të gjenit E2F1, dhe rrjedhimisht të proteinave që prodhohen tek 4,5% të grave me kancer të gjirit.
Studimi, i cili zgjati një vit, u krye në 222 gra italiane me kancer të gjirit.
“Zbulimi i më shumë kopjeve të gjenit tek gratë me kancer të gjirit sot merr një rëndësi të madhe veçanërisht në fushën e kërkimit të biomarkerëve tumorale, e cila, në vitet e fundit, ka qenë në qendër të vëmendjes në luftën kundër kancerit dhe synon të arrijë një diagnozë të hershme dhe prodhimin e barnave të reja antikancerogjene për një qasje terapeutike gjithnjë e më të personalizuar”, shpjegon profesor Foresta. /os/






















