TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Ferhati shprehu sot bindjen se, “PS e meriton mandatin e tretë qeverisës jo vetëm për arritjet e punëve që kemi bërë, por edhe për vijimin e reformave që i kemi nisur dhe duhet t’i vazhdojmë për t’i çuar deri në fund”.
E ftuar në një studio televizive, Ferhati foli për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa theksoi se, “fushatë është çdo ditë pasi një deputet duhet të punojë çdo ditë pranë qytetarëve për të kuptuar nevojat e komunitetit dhe t’i adresojë ato në nivelet e e vendimmarrjes”.
“Për mua fushata është njësoj si çdo ditë tjetër, pasi çdo ditë duhet të merresh me njerëzit. Në Tiranë ku shërbej si deputete prej 2015, fushata për zgjedhjet e 2021 është pak a shumë si çdo ditë tjetër, por me intensitet më të shtuar në dy aspekte: koordinimi elektoral dhe mobilizimi i strukturave të partisë dhe zgjidhja e problematikave të qytetarëve”, tha ajo.
Duke u ndalur te problematikat që ndesh në njësinë administrative Nr. 3 në Tiranë, Ferhati tha se, “problem kryesor për momentin është rindërtimi i shtëpive të reja. Banorët e pallateve të dëmtuara janë në shtëpi me qira, ndërkohë që mbi 350 qytetarë deri tani kanë marrë pagesat për dëmet e lehta”.
Ferhati tha se edhe qytetarët janë të ndërgjegjshëm se ky problem është duke marrë zgjidhje. “Nuk mendoj se ka pasur zvarritje, fokusi i punës ka qenë te rindërtimi dhe nuk është lënë asnjë ditë bosh në procesin e rindërtimit. Do të ishte mbyllur brenda 2020 nëse nuk do të ndodhte pandemia, por nuk është ndalur ritmi, dhe brenda vitit 2022 të gjitha problemet e rindërtimit mbarojnë”, tha ajo.
Ferhati u ndal po ashtu edhe te çështja e legalizimeve të ndërtimeve pa leje apo regjistrimin e shtëpive të vjetra para 1990. “Në ligjin e miratuar në maj 2020 i është dhënë zgjidhje mbi 36 problematikave në lidhje me çështjet e pronësisë. Ligji rregullon të gjitha problematikat e pronësisë. Nëse krahasojmë 8 vitet e qeverisjes së PD-së me 2 vitet e para të qeverisjes së PS-së diferenca për legalizimet është si nata me ditën”, tha ajo.
E pyetur mbi arrestimet e fundit nga SPAK, Ferhati tha se, “SPAK është një nga organet e reja më të rëndësishme në kuadër të Reformës në Drejtësi. Rastet e fundit janë premisa që na tregojnë se SPAK po punon po vepron dhe uroj me këtë intensitet të vijojë puna. Asnjë gjë nuk bëhet brenda ditës me shkop magjik. SPAK po vepron dhe po tregon se është një organ eficient, rezultat i Reformës në Drejtësi”.
/m.m//a.a/r.e/












