HANOVER, 8 shkurt /ATSH-DPA/ – Një nënë në Gjermani mori një surprizë të keqe pasi e la djalin 7-vjeçar të luante një lojë në celularin e saj.
Djali shpenzoi plot 2 753,91 euro (3 314 dollarë) me blerjet brenda aplikacionit, sipas një deklarate nga qendra e këshillimit të konsumatorëve në shtetin e Saksonisë së Poshtme.
Nëna i dha fëmijës leje të luajë në lojën shumëngjyrëshe në internet, si edhe qasje në një kupon me një shumë të vogël kredie për të shpenzuar.
Por ajo që harroi ishte se karta e saj e kreditit ishte e bashkangjitur në llogari.
Në deklaratë thuhet se djali i saj kishte vazhduar të luante lojën në fshehtësi.
Kathrin Koerber, një eksperte ligjore në Organin Shtetëror të Konsumatorëve, tha se ligji gjerman lejon që fëmijët të bëjnë blerje pa lejen e prindërve brenda kufijve të parave të xhepit, kështu që, në raste të tilla, ia vlen të sfidohet fatura.
“Pas një letre dërguar ndërmarrjes në emër të saj, pjesa më e madhe e faturës së nënës, 2 654,31 euro, u hoq”, shtoi Koerber./ /ervo/























