TIRANË, 30 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste në Tiranë, Ervin Bushati deklaroi në një intervistë televizive se taksa Basha cenon 99 % të shqiptarëve, duke iu referuar programit ekonomik të PD-së ku Basha propozoi vendosjen e taksës së sheshtë 9%.
Sipas Bushatit, është e thjeshtë dhe e sigurtë se taksa Basha cenon 99 % të shqiptarëve.
“Unë nuk di asnjë rast të suksesshëm të një takse të sheshtë. Para se të vija këtu po kërkoja ndonjë rast të suksesshëm dhe i vetmi rast që ishte aplikuar ishte Rusia. Pra, taksa e sheshtë nuk aplikohet në asnjë vend të suksesshëm të botës. Gjithë vendet kryesore dhe të zhvilluara të botës kanë taksë progresive”, theksoi Bushati.
Sot që flasim, vijoi Bushati, “91 % e bizneseve në Shqipëri paguajnë një taksë zero dhe taksa Basha do iu rikthejë një taksë tjetër”.
“Sot mbi 82 % e qytetarëve shqiptarë në atë që marrin si rroga paguajnë vetëm deri 5 %. Mos harrojmë që më shumë se gjysma paguan zero. Pra mbi 60 % e tyre nuk paguajnë taksa fare për rrogat”, sqaroi ai.
Deputeti socialist Bushati tha se, taksa Basha është e votuar jashtë sistemit nga qytetarët shqiptarë në 2013-ën.
“Pra, taksa Basha është votuar njëherë kundër nga qytetarët shqiptarë, është një taksë që mund të ndihmojë vetëm 1 % të popullatës. Po të mbledhim bizneset apo subjektet që përfitojnë nga kjo janë gjithsej 28 mijë në 2.8 milionë banorë shqiptarë”, theksoi Bushati.
Bushati hodhi poshtë tezën e opozitës se taksa e sheshtë 9 % rrit të ardhurat në buxhet. “Nuk i rrit. S’kanë sesi e provojnë kurrë, sepse nuk është provuar në asnjë vend të botës. Gjithë vendet e zhvilluara të botës kanë taksë progresive”, tha ai.
Bushati u shpreh se, “taksa Basha do të ndëshkonte 99 % të qytetarëve dhe i vjen në ndihmë vetëm 28 mijë subjekteve ndërmjet bizneseve dhe qytetarëve, pra 1 %. Kështu që nuk mendoj që një eksperiment i tillë në një kohë që aq më tepër që ka një sfidë të tillë Shqipëria me pandeminë dhe rindërtimin mund të kemi luksin të bëjmë eksperimente të tilla të rrezikshme si me taksën Basha”.
“Më vjen çudi sesi forca të tjera të cilat në vetvete quhen socialiste apo të majta mund të pranojnë një taksë Basha, e cila është një taksë që ndihmon vetëm 1%”, shtoi Bushati. /j.p/












