TIRANË, 16 tetor/ATSH/ Partia Agrare Ambientaliste deklaroi sot se paketa e tretë e ndihmës është detyrim ligjor, por qeveria nuk e ofron, sepse rritja e deficitit nga paketat do të kërkojë shkurtim të investimeve për partneritetet publike private preferenciale për oligarkët.
“Protestat paqësore për paketat e solidaritetit social duhet të jenë të fuqishme dhe kudo në Shqipëri. Gjithë institucionet ndërkombëtare si FMN, BERZH, BB dhe BSH tregojnë se rënia ekonomike do të jetë më e madhe, çka nënkupton më shumë të papunë dhe të varfër dhe borxhe në rritje”, thuhet në deklaratën e PAA-së.
Sipas PAA-së, “Rama deklaroi se nuk do të ketë paketë të tretë dhe kjo do të thotë se të papunët, të varfrit dhe bizneset do të braktisen në nivelet kritike të mbijetesës dhe të braktisjes së vendit”.
“Rama e ka të qartë se paketat në ndihmë të të papunëve, të varfërve dhe biznesit do ta rrisin borxhin, kjo do të imponojë shkurtimin e financimeve për PPP-të që janë përzgjedhur nën përfitimet korruptive dhe kapjes së shtetit”, thuhet në deklaratë.
PAA bëri thirrje publike që shqiptarët me protesta paqësore ta detyrojnë Kryeministrin të miratojë me prioritet dhe pa vonesë paketat ndihmëse për të papunët, të varfrit dhe bizneset që mezi mbijetojnë nën efektet varfruese të pasojave të tërmetit dhe të pandemisë.
“Sot më shumë se kurrë çdo shqiptar meriton mbështetje dinjitoze për ta kapërcyer këtë krizë kaq vrastare”, thuhet në deklaratë./m.m//a.a//r.e/












