TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykon se efekti i pandemisë në ekonomi do të vijë drejt reduktimit gjatë tremujorëve në vijim.
Rritja e kërkesës agregate pritet të shoqërohet me rritje të punësimit dhe rritje të pagave e të kostove të prodhimit, duke ndihmuar në kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.
Guvernatori i Banksë së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi sot “pandemia COVID-19 është sfida më serioze me të cilën është përballur ekonomia botërore gjatë dekadave të fundit”.
“Aktiviteti ekonomik në shumicën e ekonomive ka shfaqur norma dyshifrore rënieje, papunësia është rritur, ndërsa gjendja financiare e sektorit privat është përkeqësuar. Masat e paprecedenta fiskale dhe monetare kanë lehtësuar impaktin e pandemisë”, u shpreh Sejko.
Sipas tij, inflacioni në vend shënoi një vlerë mesatare prej 1.3% gjatë muajve korrik e gusht, duke shënuar rënie krahasuar me tremujorin e dytë. Kjo rënie ka pasqyruar normat më të ulëta të inflacionit të artikujve ushqimorë dhe të disa kategorive të shërbimeve.
Referuar INSTAT, Guvernatori tha se, “aktiviteti ekonomik në vend shënoi një rënie vjetore prej 10.2% në tremujorin e dytë. Kjo rënie pasqyroi kontributin negativ të pothuajse të gjithë sektorëve të ekonomisë dhe komponentëve të kërkesës agregate. Paralelisht me të, punësimi shënoi një rënie vjetore prej 3.6% ndërkohë që norma e papunësisë u rrit në 11.9%. Të dhënat e tremujorit të tretë mbeten ende paraprake. Megjithatë, ecuria më e mirë e të ardhurave tatimore dhe eksporteve, si dhe përmirësimi i besimit të biznesit dhe konsumatorit, sugjerojnë se rënia ekonomike ka vijuar, por me ritme më të ngadalta se në tremujorin e dytë”.
Sejko tha se “stabiliteti monetar dhe financiar në vend përbën një premisë pozitive për rikuperimin e ekonomisë dhe një parakusht esencial për qëndrueshmërinë në kohë të saj”.
/r.e/












