TIRANË, 21 gusht /ATSH – I. Vata/ Punimet për rikonstruksionin e stadiumit të futbollit “Zeqir Ymeri”, në Kukës po ecin me ritme të shpejta. Ekipi i Kukësit inspektoi sot punimet në këtë stadium i cili do jetë së shpejti një shtëpi e re për ta me standarde bashkëkohore.
“Ekipi i Kukësit i ka dhënë fund fazës përgatitore në Tropojë dhe është rikthyer ku do të qëndrojë i grumbulluar në Elbasan deri ditën e ndeshjes ndaj Slavia Sofias”, bën të ditur bashkia Kukës.
“Gjatë kthimit nga Tropoja, skuadra është ndalur edhe në qytetin e Kukësit, ku ka inspektuar punimet në stadiumin e ri. Ekipi i Kukësit ka munguar për shumë kohë në qytet duke u detyruar të luajë ndeshjet jashtë për shkak të rindërtimit të stadiumit, teksa sezoni tjetër pritet të luhet në Kukës”, thuhet në njoftimin e bashkisë Kukës.
Projekti planifikon ndërtimin e një stadiumi 10 mijë vendesh me një kosto prej 3.5 milionë eurosh. /a.a/






















