TIRANË, 13 maj /ATSH/ Silvio Pedrazzi, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave, shprehu bindjen në rolin e rëndësishëm që duhet të luajë sistemi bankar në këtë situatë të jashtëzakonshme nga COVID-19, ndërsa vuri në dukje, kontributin e bankave në ruajtjen e qëndrueshmërisë së shërbimeve financiare në vend.
Duke folur në takimin e organizuar sot nga Banka e Shqipërisë me temë “Marrëdhëniet Biznes-Bankë: Sfidat e përbashkëta ekonomike në kushtet e pandemisë globale COVID-19”, Pedrazzi, tha se “bankat pranuan moratoriumin për mbi 2 miliardë euro për kreditë e marra nga biznesi duke shtyrë pagesën e këstit të kredisë dhe kjo tregon që ne jemi bashkë me qeverinë në masat për mbështetjen e biznesit dhe tregon për përgjegjshmërinë e sistemit bankar”.
Ai shprehu bindjen se BSH-së, do të jetë pranë bankave tregtare për të administruar në muajit në vijim të gjithë këto raste dhe për të gjetur zgjidhje për secilin rast.
“Bankat janë në gatishmëri për qytetarët dhe kjo ka të bëjë me paketën për pagat që mbulohen nga garancia sovrane. Instrumenti i parë që ne kemi në dispozicion për paktën e pagesave është marrëveshja që ne kemi firmosur me Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë. Kjo paketë e pagesës është një masë shumë e mirë e marrë nga qeveria, por zbatimi i saj ka nisur të bëhet ngadalë, pasi duhet interpretuar procesi për të vazhduar me pagesën e pagave, por mendoj se kjo paketë do të vijojë të rritet bazuar në numrin e aplikimeve i cili po rritet”, – tha ai.
Pedrazzi, theksoi se, “numri i aplikimeve është dyfishuar që nga java që shkoj dhe mendoj se, do të shohim efektet e para të pagesës së pagave, në fund të muajit maj, kur paguhen pagesat”.
Madje edhe kompanitë që kanë firmosur marrëveshjet e kredisë me bankat do t’i shikojnë efektet e kësaj pakete, vijoi ai.
“Mendoj se efektet e kësaj pakete po rriten dhe janë shumë të rëndësishme. Por mendoj se duhet diskutuar me komunitetin e biznesit pasi garancia sovrane nuk mbështet kreditë e çdo klienti, ajo është një instrument që nuk kompromenton pasi klientët që edhe para krizës nuk mund të tregonin aftësinë e tyre për të paguar kredinë nuk mund të përfitojnë nga kjo garanci, ka kushte teknike dhe financiare për të përfituar nga kjo garanci sovrane”- deklaroi Pedrazzi.
“Kemi ofruar ndihmën tonë për paketën e re financiare dhe jemi shumë të kënaqur për masat që ka marrë qeveria për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe masat në mbështetje të biznesit në vështirësi nga kjo situatë”, – përfundoi fjalën e tij Pedrazzi, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave. /j.p/r.e/






















