Ballina Aktualitet

Xhaçka: PD vazhdon me shpikje të modelit Babale

TIRANË, 5 prill/ATSH- A. Fortuzi/- Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka kërkon hetim me përparësi të akuzave të ngritura nga Partia Demokrtike lidhur me tenderin e ushqimeve.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka reaguar të dielën pasdite, pas kallëzimit penal pranë Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), nga Partia Demokratike kundrejt saj, për tenderin e ushqimeve.

“E mirëpres padinë e PD dhe e inkurajoj SPAK që ta hetojë me përparësi këtë akuzë sepse sot qytetarët kanë shumë nevojë për qartësi. PD ka të drejtë kur thotë që do të ishte veçanërisht e ulët e kriminale nëse një ministër do të përfitonte nga pandemia për të bërë korrupsion”- thekson Xhaçka.

“Por është po aq e ulët e imorale në qoftë se opozita e një vendi në kohë lufte, jo vetëm nuk kontribuon në përpjekjen e përbashkët për të mundur armikun e për të shpëtuar jetë, por vazhdon me shpikje të modelit Babale në një përpjekje për të sabotuar luftën e minuar përpjekjen tonë të përbashkët për t’i bërë ballë me sa më pak humbje e vuajtje armikut të padukshëm!”,- nënvizon ministrja e Mbrojtjes.

“I takon SPAK të hedhë dritë mbi këtë çështje me të gjithë urgjencën që dikton situata e luftës ku jemi. Kemi bërë çdo gjë sipas ligjit e procedurës dhe jam optimiste se në fund të hetimit qytetarët do të kuptojnë qartë si drita e diellit se kjo akuzë s’është veç rivënia në skenë e versionit më të fundit të Babales”,- përfundon Xhaçka.

Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK, sot, kallëzimin penal për, siç pretendon ajo, “abuzimet me tenderin e paracaktuar të ushqimeve me vlerë 1.5 milion euro. Ndër personat e kallëzuar janë Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Mbrojtjes, shoqëria “EUROVIA” shpknj, me administrator Emir Shefiti dhe shoqëria XPERT SYSTEMS sh.p.k., me administrator Renald Gova”.

/a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCOVID-19 – Mbreti i Marokut fal mbi 5 000 të burgosur
Artikulli tjetërIZRAEL – Krijohet test nuhatjeje për zbulimin e koronavirusit