ATHINE, 2 prill /ATSH-MIA/ – Vij sot në Parlament, i cili domosdoshmërisht është në një përbërje të vogël, siç kërkojnë rrethanat, për të dhënë llogari për luftën 30-ditore kundër pandemisë, sepse prilli është muaj vendimtar për të ardhmen, deklaroi kryeministri grek, Kiriakos Micotakis në fillimin e fjalimit të tij në Parlament mbi masat për të luftuar COVID-19.
Micotakis u përqendrua në masat e ashpra të ndërmarra, duke shtuar se deri më tani, pas një beteje pesë-javore, siç duket Greqia i ka shmangur “përvojat traumatike të Italisë, Spanjës, Anglisë dhe SHBA”.
“Ne jemi në fillim të fundit, por mund të jemi në fund të fillimit. Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet, të mund të fitojmë kohë në mënyrë që sistemi i shëndetit publik të mos mbingarkohet. Deri më tani, këtë e kemi arritur”, tha Micotakis.
Kryeministri grek edhe një herë u bëri thirrje qytetarëve që t’i respektojnë rregullat që deri më tani e kanë bërë Greqinë një shembull pozitiv, të qëndrojnë në shtëpi dhe të jenë pjesë e zgjidhjes.
Duke folur për aspektin ekonomik të pandemisë, Micotakis vuri në dukje se qeveria për 30 ditë kishte planifikuar dhe shpallur katër pako masash për ndihmë ekonomike që arrijnë në rreth 10 miliardë euro, ndërsa shqetësimi kryesor mbetet mbajtja e vendeve të punës. /os/ /a.a/











