TIRANË, 9 mars /ATSH – I. Vata/- Përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi tha sot se “propozimi i opozitës është një propozim plotësisht me propozimet e ODIHR, për të depolitizuar procesin e votimit dhe numërimit të rezultateve. Propozimi i opozitës së bashkuar ia le procesin e votimit, numërimin e votave dhe nxjerrjen e rezultatit komisionerëve që janë jo politik, por garanton interesin e subjekteve politike që kanë rol themelorë në proces dhe në garantimin e besueshmërisë së procesit që të jenë present në mënyrë të balancuar dhe të jenë pjesë e vendimmarrjes atëherë kur e kërkon ligji”.
Në deklaratën për mediet pas takimit për Reformën Zgjedhore, Bylykbashi tha se “administrimi, votimit, numërimi dhe nxjerrja e rezultatit është jo politik, ndërkohë vendimmarrjet kur duhet të ndërhyhet sipas ligjit, palët ruajnë garanci. Është një propozim i cili jo vetëm përputh rekomandimin e ODIHR, por garanton mbajtjen e besimit politik dhe fuqizimin e besimit të opinioni publik. Qendrën e votimin do ta administrojë një komision jo politik dhe përfaqësuesit e partive politike janë aty për të mbikëqyrur dhe monitoruar se çdo të ndodhë. Numërimi do të bëhet nga numërues jopolitikë dhe përfaqësuesit e partive politike do të jenë aty për të monitoruar numërimin dhe nxjerrja e rezultatit do të ndjekë të njëjtin koncept”.
Po ashtu, Bylykbashi tha se “një gjë që propozojmë sot është rinumërimi i votave para se të nxirret rezultati në mënyrë se nëse ndonjë komisioneri i ka shkuar në mend që të vjedhë votat e partive dhe t’i fus në qesen e partisë së tij, jo vetëm të ndëshkohet administrativisht, por të ndiqet penalisht dhe rezultati të kthehet aty ku e kanë çuar zgjedhësit”.
Bylykbashi tha se mazhoranca kërkon të mbajë sistemin aktual ose të kontrolluar nga qeveria.
“Propozimi që vjen sot nga Gjiknuri, nga mazhoranca ka vetëm dy forma, ose pranoni versionin ekzistues të administrimit të zgjedhjeve, ose të kalojë në një model ku komisionet të jenë të pavarura nga partitë politike do të jenë totalisht të varur nga qeveria, nën lëkurën e administratës publike të politizuar, pra do të jenë komisionerët e PS-së që të manipulojnë votimi dhe numërimin e votave. Nuk mund të pranohet një qasje e tillë. Propozimi i Gjiknurit mund të çojë drejtë miratimit të njëanshëm të drafteve, ne jo vetëm nuk e pranojmë, por do qëndrojmë deri në fund për një Kod Zgjedhor që u shërben shqiptarëve”, tha ai.
Përfaqësuesi i LSI-së në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, Petrit Vasili tha se pozicioni është i qartë dhe i prerë i opozitës së bashkuar përkundrejt propozimit të PS, e cila kërkon që administratës së saj të diskretituar, e evidentuar qartë dhe në raportin e ODIHR, e evidentuar qartë në një nga pesë kushtet e negociatave ku depolitizimi i administratës mbeti një nga problemet më kritike, kërkon me insistim t’i besojë administrimin e zgjedhjeve”.
Vasili shtoi se “propozimi ynë insiston në futjen e elementëve të rëndësishëm të depolitizimit të administrimit të procesit, por nuk mund t’i dhurojë administrimin. Kësaj, Gjiknuri, jo vetëm kërkon t’i jap administrimin e zgjedhjeve, por imponon tavolinën e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore për të përgatitur terrenin për ta sabotuar tavolinën e për të shkuar me truke të caktuar në miratimin e njëanshëm”.























