Ballina Bota

EANA: Tepër të shqetësuar për mbylljen e Australian Associated Press

TIRANË, 3 mars /ATSH/ – Mbyllja e afërt e agjencisë australiane të lajmeve, Australian Associated Press (AAP) është një moment i trishtuar për Australinë, për komunitetin e medias australiane, për publikun australian dhe për komunitetin e agjencive ndërkombëtare të lajmeve, thuhet në një deklaratë të Aleancës Europiane së Agjencive të Lajmeve, ku ATSH është anëtare me të drejta të plota.

Aleanca Europiane e Agjencive të Lajmeve shprehet e shqetësuar dhe e trishtuar nga njoftimi i AAP-së. Në një peizazh të përgjithshëm mediatik tashmë nën presion nga një fluks i zhurmës informative që paraqet si lajm, agjencitë e lajmeve përfaqësojnë një shtyllë besimi për median dhe, në një mënyrë më të gjerë, edhe për vetë publikun.

Mbyllja së afërmi e një agjencie të besueshme dhe shumë të respektuar si AAP është pasoja më e trishtë e faktorëve të ndryshëm, shumica e të cilëve nuk kanë të bëjnë me vetë median tradicionale, ku më e rëndësishmja është rënia e të ardhurave nga reklama, që ka çuar në kufizimin e aktiviteteve dhe madje edhe në largimin e klientëve tradicionalë të agjencive të lajmeve.

“Është shumë e trishtueshme për një ekip të shkëlqyer që ka punuar me entuziazëm për të transformuar AAP-në dhe ka qenë gjithmonë i njohur për standardet e larta gazetareske”, tha Peter Kropsch, presidenti EANA-s dhe CEO i agjencisë gjermane të lajmeve, DPA.

“Ky është një grusht për vetë gazetarinë. Mbyllja e një burimi serioz dhe të përgjegjshëm informacioni si AAP, ndërsa ne përballemi me sfidën e lajmeve të rreme, duket sikur na bën të dukemi të dobët në këtë fushë, por në të vërtetë na bën më të përgjegjshëm për të punuar më shumë rreth përmbajtjes dhe zgjerimit të tregut”, kjo është mënyra se si e përshkroi këtë njoftim të trishtuar Armela Krasniqi, anëtare e bordit të EANA-s dhe Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare.

”Lajm i trishtuar dhe alarmant. Me përkushtimin e tyre ndaj kontrollit të fakteve dhe të mbulimit të balancuar, agjencitë e lajmeve nevojiten sot më shumë dhe jo më pak. AAP ishte/është një shërbim i shkëlqyer me një staf të shkëlqyer”, tha Jiri Majstr, anëtar i bordit të EANA-s dhe CEO i CTK-së.

Clive Marshall, anëtar i bordit të EANA-s, CEO i PA Mediagroup dhe ish-CEO i AAP tha që lajmi ishte një goditje për industrinë e medivve në Australi, që po vuante efektet binjake të kolapsit të të ardhurave nga reklamat dhe të fuqisë së madhe të tregut të fuqishëm të kompanive teknologjike.

“Që prej krijimit të saj, 85 vjet më parë, AAP ka krijuar një reputacion për përsosmërinë editoriale, inovacionin, integritetin dhe pavarësinë. Ky është një lajm i tmerrshëm për gazetarët e talentuar dhe të përkushtuar që do të humbasin punën e tyre dhe një ditë e keqe për median në Australi dhe për më gjerë për mjedisin demokratik”, tha ish-CEO i AAP-së.

“Mbyllja e AAP-së është një moment i trishtë për gjithë peisazhin mediatik të Australisë, si edhe për publikun, që do ta ketë edhe më të vështirë të gjejë informacion veç atij që në mënyrë të tërthortë vihet në dispozicion nga agjencia e lajmeve. Është një moment i trishtuar për bashkësinë ndërkombëtare të medias, por ai gjithashtu duhet të rrisë vetëdijen për vështirësitë me të cilat përballen agjencitë kombëtare të lajmeve në të gjithë botën. Është një moment analize shumë të nevojshme dhe përqendrimi në strategjitë për të ardhmen”, tha Alexandru Giboi, sekretari i përgjithshëm i EANA-s.

Sipas informacionit të disponueshëm publikisht, aksionarët me shumicë të agjencisë, News Corp Australia dhe Nine Company Entertainment, njoftuan mbylljen për shkak të rënies së numrit të klientëve që përdorin AAP.

Operacioni editorial do të mbyllet më 26 qershor, ndërsa kompania e monitorimit të mediave të kompanisë ”Medianet” do të shitet./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFINANCË – Bursat europiane fillojnë reagimin pozitiv përballë COVID-19
Artikulli tjetërZVICËR – OBSH: Mungesa globale e maskave pengon luftën kundër COVID-19