Ballina Aktualitet

Paketa Anti KÇK/ Voda: Model në luftën kundër krimit

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/-Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda tha sot se, “ndonëse është në fillimet e saj operacioni “Forca e Ligjit”, (OFL) veprimet aktive të Policisë së Shtetit kanë qenë në numër të madh ndaj figurave të njohura të botës së krimit”.

Në një emision televiziv, Voda u shpreh se, “me të drejtë një pjesë e njerëzve mund të jenë skeptikë, por në këto 10 ditë të nisjes së OFL-së, veprimet aktive të Policisë së Shtetit kanë qenë në numër të madh ndaj figurave të njohura të botës së krimit dhe askush nuk mund të thotë të kundërtën për këtë”.

Ajo shprehu bindjen se akti normativ i jep një vegël një armë Policisë së Shtetit për të qenë pro aktive dhe për të pasur mundësi dhe akses në data baze të ndryshme që Policia e Shtetit, në fakt nuk i ka pasur më parë.

Voda e cilësoi arritje, jo vetëm dërgimin e formularëve për justifikimin e pasurive, por edhe bllokimin e makinave të blinduara dhe intensifikimin e kontrolleve.

Ndër vite policia ka ushtruar kontrolle dhe ka bllokuar makina, por siç theksoi ajo, “kësaj radhe është ndryshe, sepse personi duhet të vërtetojë ligjshmërinë e pasurisë, brenda një afati të caktuar, në të kundërtën përballet me masat që parashtron ligji”.

“Policia e Shtetit ka qenë shumë e kufizuar në disa data baza shtetërore por, akti normativ në kushtet e emergjencës, i jep Policisë së Shtetit të drejtën që edhe për një llogari të caktuar të kërkoj informacion te bankat e nivelit të dytë, ndryshe nga më parë dhe duke i shkuar deri detaj, verifikimit të pasurive të paligjshme”-, tha Voda.

Ajo solli në vëmendje se, të gjithë e kanë parë se çfarë ka ndodhur me sistemin e  drejtësisë, me luftën kundër krimit të organizuar, me hetimet e prokurorëve, me çështje që shkojnë në gjykatë dhe asnjë gjyqtarë nuk është marrë me pastrim produktesh të veprës penale. Ndërsa sot pronat e regjistruara në emër të personave të tretë duhet të vërtetojnë burimin e pasurisë.

“Akti normativ Anti KÇK i jep një dorë policisë për të qenë proaktive dhe të ketë më shumë akses, model në luftën kundër krimit”, -tha ajo. e.xh/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPak ditë para “Shën Valentinit” nxirret në shitje letra e dashurisë e shkruar nga Martin Luther King Jr
Artikulli tjetërParashikimi i motit, e enjte 13 shkurt 2020