UASHINGTON, 7 janar /ATSH-AA/ – Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper ka mohuar raportimet se ushtria amerikane po përgatitet të largohet nga Iraku, pasi parlamenti irakian votoi për dëbimin e forcave amerikane nga vendi.
Mohimi vjen pasi disa media raportuan për një letër të pretenduar nga gjenerali i trupave detare, William Seely, i cili mbikëqyr operacionet në Irak, ku lajmëronte zyrtarët irakianë të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja planet për të lëshuar vendin.
Para gazetarëve në Pentagon, Esper mohoi të ketë pasur ndonjë letër për largimin e trupave amerikane nga Iraku.
Në letrën e pretenduar nga mediet, Seely i shkruan zëvendësdrejtorit të Komandës së Operacioneve të Përbashkëta në Irak, Abdul Amir, duke e lajmëruar atë se koalicioni i udhëhequr nga SHBA ”gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme do të ripozicionojë forcat për t’u përgatitur për lëvizjen e mëtejshme”.
Seely citon në mënyrë të veçantë votimin e parlamentit irakian të së dielës, kur ligjvënësit votuan për të kërkuar tërheqjen e SHBA-ve dhe forcave të huaja nga vendi pas sulmit ajror amerikan që vrau komandantin e lartë ushtarak të Iranit në Bagdad.
”Ne respektojmë vendimin tuaj sovran për të urdhëruar largimin tonë”, shkroi Seely në letër, kopjet e të cilës qarkulluan në mediet sociale.
Kryeministri i përkohshëm i Irakut, Adel Abdul Mahdi, gjatë ditës së kaluar njoftoi të dërguarin amerikan në Bagdad për vendimin e fundit të parlamentit.
Vrasja e Soleimanit shënoi një përshkallëzim dramatik në tensionet midis SHBA-së dhe Iranit, të cilat shpesh herë kanë qenë të nxehta që në vitin 2018 kur presidenti amerikan, Donald Trump, në mënyrë të njëanshme vendosi të tërheq Uashingtonin nga pakti bërthamor i vitit 2015 midis fuqive botërore dhe Teheranit./ /os/ a.jor.






















