“Kurrë nuk jam ndjerë më krenare për FA-të se mëngjesin e 26 nëntorit”, Xhaçka: Do të ringrihemi të gjithë së bashku

TIRANË, 1 janar /ATSH – I. Vata/- Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka  ka uruar shqiptarët dhe të dëmtuarit nga tërmeti për vitin e Ri, 2020, si dhe ka vlerësuar punën e Forcave të Armatosura pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ministrja Xhaçka në urimin e saj thekson se ky  fundvit është shumë ndryshe, tragjedia e 26 nëntorit është e freskët,

“E di që ky  fundvit është shumë ndryshe. Tragjedia që goditi vendin në 26 nëntor është ende e freskët. Është ende e freskët dhimbja për jetët e humbura. Është ende e freskët trauma dhe frika. Janë ende mes nesh pasojat e asaj ngjarje, sepse sot mijëra qytetarë, burra, gra, fëmijë e të moshuar janë të detyruar ta kalojnë festën e Vitit të Ri larg shtëpive të tyre. Urimet e mia shkojnë mbi të gjitha për ta. Nuk jeni vetëm. Nuk do t’ju lëmë kurrë vetëm dhe do të bëjmë gjithçka që së shpejti jetët tuaja t’i rikthehen normalitetit”, shprehet ajo. Është e lehtë të humbasësh kurajën e optimizmin kur përballesh me një fatkeqësi të tillë. Por është kjo arsyeja përse ne sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të besojmë tek e ardhmja, të kemi shpresë”, shprehet ajo.

Ministrja Xhaça theksoi se Forcat e Armatosura u ngritën në lartësinë e detyrës në mëngjesin e 26 nëntorit

“Unë besoj që pavarësisht tragjedisë që kaluam, ne kemi sot shumë arsye për t’u ndjerë mirë e për të qenë optimistë. I gjej këto arsye tek shfaqja solidariteti mbresëlënës që treguan shqiptarët pas tragjedisë. I gjej këto arsye tek fakti, që ne s’jemi vetëm, por kemi miq e partnerë në mbarë botën që na u gjendën e do të na gjenden për ta kaluar këtë fatkeqësi së bashku! Por një arsye e gjej edhe mes mijëra burrave grave që punojnë në Forcat e Armatosura e që mëngjesin e 26 Nëntorit u ngritën në lartësinë e detyrës.Vetëm 1 orë pas goditjes së tërmetit, ata lanë familjet e tyre dhe ishin në terren, duke ndihmuar qytetarët e duke shpëtuar jetë!Kurrë nuk jam ndjerë më krenare për Forcat e Armatosura sesa atë mëngjes”, theksoi ajo.

Po ashtu  Xhaça shprehet se  shpreh besimin për kapërcimin e situatës post tërmet.

“Dhe sot, në këtë pragfillim viti kam bindjen, që të gjithë së bashku do t’ia dalim ta kapërcejmë këtë situatë të vështirë dhe t’i hapim rrugë një të ardhmeje më të mirë, më të bukur për të gjithë. Me shumë punë, shumë besim, shumë solidaritet dhe duke punuar së bashku!Gëzuar vitin e ri! Gëzuar 2020!”, shprehet ajo. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.