BRATISLAVË, 24 dhjetor /ATSH-DPA/ – Agjencia sllovake e lajmeve TASR njoftoi sot për përdhosjen e një varreze hebraike në qytetin verior të Sllovakisë, Rajec.
Sipas zyrtarëve hebrenj në qytetin e afërt Zilina, të cilët janë përgjegjës për mirëmbajtjen e varrezave, në këtë incident janë dëmtuar rreth 20 varre.
Ata deklaruan se varrezat nuk janë përdorur që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se kjo është arsyeja pse dëmet nuk ishin raportuar deri më tani. Varret datojnë kryesisht nga shekulli XIX dhe fillimi i shekullit XX.
Një incident i ngjashëm ndodhi dhe në qytetin verior të Sllovakisë, Namestovo një javë më parë, ku u dëmtuan 59 varre.
Autoritetet lokale po hetojnë të dyja rastet, por ende nuk kanë përcaktuar nëse përdhosja është vepër antisemite. / /sara/












