TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ Qeveria ka miratuar sot përbërjen dhe rregullat e detajuara për organizimin, funksionimin e shpërblimit financiar të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i atdheut”.
Me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave vendosi pranë Ministrisë së Mbrojtjes krijimin e Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i atdheut”, që kryesohet nga ministri i Mbrojtjes (kryetar), zëvendësministri i Mbrojtjes (nënkryetar) dhe në përbërje ka anëtarë: zëvendësministrin e Brendshëm; zëvendësministrin e Drejtësisë; zëvendësministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; një përfaqësues të Organizatës së Dëshmorëve të LANÇ-it dhe dëshmorëve të tjerë të atdheut; një përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it.
Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i atdheut” mbështetet nga një staf teknik, që funksionon pranë Ministrisë së Mbrojtjes, përbërja dhe organizimi i të cilit përcaktohet nga ministri i Mbrojtjes. Përgjegjësi i këtij stafi ushtron funksionet e sekretarit të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i atdheut”.
Marrja e vendimeve të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i atdheut” do të kryhet sipas dispozitave të ligjit “Për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike”. Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i atdheut” mblidhet me kërkesën e kryetarit të komisionit dhe ushtron këto detyra: Shqyrton dhe merr vendime lidhur me propozimin dhe dokumentacionin për shpalljen apo njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”, të dërguar nga subjektet propozuese; Shqyrton dhe merr vendim lidhur me ankesat administrative të subjekteve kërkuese kundër vendimit të këshillit bashkiak, këshillit të qarkut apo prefektit, të cilët kanë refuzuar kërkesën e tyre për statusin e dëshmorit të atdheut ose kur këto organe nuk kanë marrë në shqyrtim kërkesën e tyre për këtë çështje, brenda afateve të parashikuara ligjore; Njofton me shkrim subjektin propozues apo subjektin ankues se propozimi ose ankesa e tij është pranuar për vazhdimin e procedurës administrative nga Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i atdheut” ose për plotësimin e të metave lidhur me kriteret formale, ligjore, të propozimit, duke caktuar një afat prej 10 ditësh pune për plotësimin e këtyre të metave; Njofton subjektin propozues apo subjektin ankues se janë të nevojshme veprime të mëtejshme administrative, para se të vendosë pranimin ose jo të propozimit apo të kërkesës/ankesës, duke caktuar një afat prej 10 ditësh pune për kryerjen e këtyre veprimeve; Bashkëpunon me organet shtetërore qendrore e vendore dhe me organizatat e dëshmorëve apo organizata të tjera për organizimin e ceremonive të dhënies (shpërndarjes) së certifikatës “Dëshmor i atdheut” dhe të simbolit “Familje e dëshmorit të atdheut”; Rishqyrton vendimet e tij, të cilët, bazuar në një vendim gjykate të formës së prerë, janë anuluar apo shfuqizuar; Miraton, me vendim, dhënien e shpërblimit financiar mujor për familjen e dëshmorit të atdheut, kur plotësohen kriteret e përcaktuara; Bashkëpunon me institucionet e tjera publike gjatë hetimit administrativ të një çështjeje për shpalljen apo njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”; Ngarkon stafin teknik të komisionit qendror me detyra specifike administrative, për çështjen që shqyrton; Njofton, me shkresë zyrtare, subjektin propozues apo subjektin ankues, brenda afateve ligjore, për vendimin përfundimtar të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i atdheut”; Merr vendim për delegimin e disa kompetencave nënkryetarit, një anëtari apo stafit teknik të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i atdheut”.
Propozimi për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut” përmban identitetin e plotë e të saktë të të ndjerit, jetëshkrimin të tij dhe përshkrimin e saktë të rrethanave të ngjarjes ku ka humbur jetën, sipas dokumenteve zyrtare, shtetërore dhe çdo dokumentacion tjetër, të përcaktuar sipas “Statusit të dëshmorit të atdheut”, dhe i paraqitet këshillit të qarkut, këshillit bashkiak ose prefektit.
Propozimi për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut” paraqitet pranë stafit teknik të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i atdheut”, në Ministrinë e Mbrojtjes.
Komisioni Qendror, për dhënien e statusit “Dëshmor i atdheut”, shqyrton dokumentet e dërguara nga këshilli i qarkut, këshilli bashkiak, prefekti ose ministri përkatës dhe relacionin e stafit teknik. Komisioni Qendror merr vendimin brenda 3 muajve, nga dita e regjistrimit në sekretarinë e këtij komisioni, për shpalljen ose jo “Dëshmor i atdheut” të të ndjerit dhe njofton të interesuarin nëpërmjet këshillit të qarkut, këshillit bashkiak dhe prefektit.
Vendimi i Komisionit Qendror për mosdhënien e statusit “Dëshmor i atdheut” duhet të jetë i arsyetuar.
Shpërblimi për pjesëmarrje në mbledhje, për çdo anëtar, bëhet sipas përcaktimeve në vendimin normativ të masës së shpërblimit të këshillave, bordeve ose komisioneve të njësive të qeverisjes qendrore.
Vendimi nr. 151, datë 25.5.2002, i Këshillit të Ministrave, “Për statusin “Dëshmor i atdheut””, shfuqizohet. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i atdheut” për zbatimin e këtij vendimi. /e.xh/r.e/












