PRISHTINË, 8 dhjetor /ATSH/ Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në një dalje për mediet ditën e sotme, u shpreh se do të bëhet kthim i dinjitetshëm i të gjithë banorëve të Shqipërisë, të cilët janë strehuar në Kosovë pas tërmetit të 26 nëntorit. Sipas tij, nuk ka më persona që kërkojnë strehim në Kosovë, dhe vetëm gjatë ditës së sotme tha se janë kthyer 80 banorë të Shqipërisë.
Sipas tij, janë mbi 1300 persona të zhvendosur nga Shqipëria, dhe nga rreth 600 persona të strehuar në Parkun e Inovacionit në Prizren, tani kanë mbetur vetëm 270.
Haradinaj tha se Kosova duhet të ofrojë kthim të dinjitetshëm të banorëve të Shqipërisë, duke iu ofruar transport të gjithë atyre. Sipas tij, ka qytetarë të cilët duan të kthehen, por hasin vështirësi në sigurimin e transportit.
Banorët e Kosovës, pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin tonë më 26 nëntor, u solidarizuan me vëllezërit e tyre, duke dërguar ndihma dhe duke strehuar banorë të prekur nga tërmeti, më i fuqishmi që ka goditur Shqipërinë në 30 vjetët e fundit. /KosovaPress/





















