PRISHTINË, 27 nëntor/ATSH/ Me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, dita e sotme, 27 nëntor, është shpallur ditë zie kombëtare.
Me këtë rast Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë ka hapur sot një libër ngushëllimesh prej orës 12:00 deri në 15:00 dhe nesër më 28 nëntor nga ora 10:00 deri në 13:00.
Në mesditën e sotme në Ambasadë u mbajt një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit të 26 nëntorit.
Deri më tani librin e kanë nënshkruar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çagri Sakar, ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe qytetarë të Kosovës.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për solidaritetin e treguar nga ana e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. /KosovaPress/












