TIRANË, 20 nëntor /ATSH/ Puna për hartimin e Planit të Veprimit Kundër Korrupsionit 2019-2023, vijon në Ministrinë e Drejtësisë lajmëron zv/ministrja Fjoralba Caka.
Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë u mblodhën institucionet përgjegjëse për zbatimin e masave ndëshkuese kundër korrupsionit si KLP, Policia e Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, SHÇBA, në prezencë edhe të përfaqësuesve ndërkombëtarë.
“Gjatë këtij aktiviteti, së bashku edhe me ekspertët, punuam me institucionet për hartimin e masave reale, efektive por edhe të matshme që do i shërbejnë efikasitetit të hetimit dhe ndëshkimit të korrupsionit”, – u shpreh Caka.
Zv/ministrja shton se gjatë këtij takimi u diskutua mbi një sërë masash si: trajnimi dhe rritja e profesionalizmit të atyre që hetojnë korrupsionin, futjen e mjeteve të reja në hetim, forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe hetimi me skuadra të përbashkëta ndërkombëtare. /a.g/























