PRISHTINË, 29 tetor/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur sot në një takim ushtruesin e detyrës së shefit të EULEX-it, Bernd Thran, me të cilin ka biseduar rreth fuqizimit të sundimit të ligjit në vend dhe procese të tjera të rëndësishme.
Gjatë takimit, Haradinaj e ka njohur Thran me zhvillimet politike, ekonomike dhe ato të sigurisë në vend. Ndërkaq kanë biseduar edhe rreth procesit zgjedhor, i cili siç tha Kryeministri në detyrë, ka qenë një proces i drejtë dhe demokratik, përmes të cilit është treguar një pjekuri e lartë politike.
Kryeministri në detyrë Haradinaj me këtë rast ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim dhe forcim të rendit dhe ligjit në Kosovë duke vlerësuar rolin e EULEX-it përgjatë këtyre viteve në vend. Sipas tij duke ndihmuar sistemin e drejtësisë, ndihmohet e gjithë shoqëria.
Nga ana e tij, Bernd Thran e falënderoi kryeministrin në detyrë Haradinaj për pritjen dhe për bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë e Kosovës. /KosovaPress/























