TIRANË, 23 tetor/ATSH- Arbi Fortuzi/ Romina Kuko, zv-Ministre e Brendshme është shprehur krenare për punën e mirë të realizuar nga Agjencitë e Sigurisë Shqiptare që kanë parandaluar një sulm terroristë përgjatë ditës së ashureve nga një celulë terroriste iraniane që vepronte në Shqipëri.
Në reagimin e saj, ajo falenderon të gjitha agjencitë e sigurisë për angazhimin maksimal në këtë mision kaq delikatë, por dhe të rëndësishëm për sigurinë kombëtare. “Agjencitë e Sigurisë Shqiptare kanë goditur me sukses një sulm kundër përfaqësisë së Moxhahedine, Al Khalq në Shqipëri, e ideuar nga anëtarë të forcës “Qods” e cila është degë ilegale e rojës së Revolucionit Iranian, përgjegjëse për kryerjen e sulmeve vdekjeprurëse mbi dezidentët e regjimit jashtë vendit”-, bën të ditur zv/Ministrja Kuko.
Celula terroriste drejtohet nga operativi i Forcave QUDS, i njohur si PEYMAN. PEYMAN është rezident i përhershëm në Iran dhe menaxhon në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Mes të tjerash, ai inicioi dhe zbatoi tentativën e fundit për sulm në muajin mars 2018. PEYMAN menaxhon shumë operativë, disa për grumbullim informacioni dhe të tjerë për të kryer sulme terroriste.
Forcat QUDS janë krahu operacional i IRGC (Islamic Revolutionary Guard Corps – Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit) që vepron përtej kufijve të Iranit. Forcat QUDS drejtohen nga Qassem SOLEIMANI, i cili është përgjegjës, mes të tjerash, për aktivitetin e Iranit në Jemen, Irak, Siri dhe Liban. Celula terroriste i përkiste, siç u përmend, njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS, një njësi operacionale e konsideruar si klandestine dhe sekrete, e cila është përgjegjëse për planifikimin dhe zbatimin e aktivitetit terrorist jashtë Iranit. Brenda kësaj njësie, ka një nën njësi që merret ekskluzivisht me organizatat që janë kundër regjimit. /a.g/






















