TIRANË, 22 tetor /ATSH A.ALLA/ – Një iniciativë shumë motivuese e cilësoi drejtuesja e aleancës së deputeteve socialiste në parlamentin e Shqipërisë Elona Gjebrea lançimin e nismës “Edhe Një”.
Sipas saj, bëhet fjalë për një iniciativë kjo ku të gjitha gjejmë veten dhe padyshim kemi dhe një detyrim për të bërë më shumë.
“Partia Socialiste është e vetmja parti e cila ka patur shumë qartë në programin e saj çështjen e barazisë gjinore dhe jo vetëm që e ka patur të qartë dhe e ka shprehur në programin e saj por ka arritur dhe ta konkretizojë”, deklaroi drejtuesja e aleancës së deputeteve socialiste në parlamentin e Shqipërisë Elona Gjebrea gjatë takimit me këshilltaret bashkiake në kuadër të rrjetit “Edhe një” të Sekretariatit të Burimeve Njerëzore në Partinë Socialiste.
Gjebrea tha se, “pikërisht qeveria e kryeministrit Rama ka arritur që të ketë një përfaqësim të dukshëm gjinor përsa i përket grave në të gjitha nivelet dhe padyshim kjo është një arritje shumë e madhe. Ndërkohë që shumë vende kanë problem përsa i përket sfidave me barazinë gjinore”.
“Sot dhe unë doja të lançoja një program bashkëpunimi, le të punojmë së bashku për ditët e aktivizmit kundër dhunës në familje, le të bëjmë një fushatë kombëtare të gjitha ne këtu siç jemi. Të trokasim derë më derë me çdo grua, me çdo vajzë pikërisht për të dhënë zërin tonë në gjithë këtë sfidë të madhe, në luftën kundër dhunës në familje”, përfundoi Gjebrea. /j.p/












