TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Aventura e turko-gjermanit Emre Can te “Juventus” mund të përfundojë më herët nga sa ishte parashikuar në kontratën e firmosur mes tij dhe klubit nga Torino.
Shenjat e para të largimit të mesfushorit u dhanë në fillim të këtij sezoni, kur lojtari u la jashtë listës së Champions League nga trajneri Sarri. Fillimisht 25-vjeçari pati një reagim të ashpër ndaj një vendimi të tillë, por më pas deklaroi se do ta shfrytëzonte këtë vendim si një stimul për të punuar më tepër.
Kështu, duke parë situatën e mesfushorit, “Manchester United” ka nisur të interesohet dhe sipas medieve angleze është gati të bëjë një ofertë për ta rikthyer 25-vjeçarin në Premier League ndërkohë që për ish-lojtarin e “Liverpool”, “Juventus” kërkon të paktën 35 milionë euro. /r.e/








