Ballina Flash

Bashkia Pukë, masa parandaluese për dëmtimin e pyjeve

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Dëmtimi i pyjeve të Pukës nga sot e në vazhdim, do të rëndojë mbi vetë inspektorët për ruajtjen dhe menaxhimin e tyre. Ky është paralajmërimi i kreut të bashkisë, Gjon Gjonaj gjatë takimit në Sektorin e Shërbimit Pyjor pranë bashkisë.

Kryebashkiaku e ka konsideruar si absurd faktin se disa furgonë qarkullojnë me lëndë drusore në mënyrë të paligjshme dhe askush nuk i ndëshkon, teksa po dëmtohet pa kriter ekonomia pyjore.

Kryetari i bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj e ka konsideruar abuzive edhe lëshimin e mandateve me vetëm tre metërkub lëndë drusore, ndërkohë që është e pamundur që një automjet të ngjitet në pyll për vetëm tre metërkub drurë.

“Bëni kujdes, sepse kjo është një mënyrë abuzimi duke shfrytëzuar mandatin e paguar për tre metër kub lëndë drusore e duke marr në pyll sasi më të mëdha drurësh”, – tha kryebashkiaku në takimin që zhvilloi në shërbimin pyjor.

Nga sot punonjësit e Shërbimit Pyjor pranë bashkisë Pukë do të vendosen me grafik në postobllok, me qëllim kontrollin e automjeteve që transportojnë lëndë drusore. Njëkohësisht Shërbimi Pyjor do të përgatisë një informacion për Policinë e Shtetit për të gjitha mjetet që dyshohet se transportojnë lëndë drusore.

/m.z/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMedia ndërkombëtare: Franca kritikohet për refuzimin e negociatave
Artikulli tjetërKolonjë/ Përfundon rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Mehmet Pepi”