Hapen aplikimet deri më 18 tetor 2019, për të gjithë StartUp-et në Shqipëri
TIRANË, 4 tetor /ATSH/- Raundi i tretë i programit UK-Albania Tech Hub fton startup-et teknologjike shqiptare dhe ato të Ballkanit Perëndimor të aplikojnë përpara datës 18 tetor 2019.
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), njofton se UK-Albania Tech Hub është një program rajonal i Ballkanit Perëndimor që mbështet bashkëpunimin midis vendeve të Ballkanit dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e teknologjisë. Pas projektit të suksesshëm me startup-e shqiptare, programi këtë vit do të zgjerohet për të përfshirë dhe pranuar aplikime nga startup-et e vendosura në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Synimi i UK – Albania Tech Hub është të lehtësojë partneritetet në teknologji midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Raundi i tretë i këtij programi, do të nisë në nëntor duke përfshirë 20 StartUp-e me potencial më të lartë zhvillimi, të cilët do të marrin pjesë në një seri workshop-esh dhe trajnimesh në Tiranë.
Pjesëmarrësit do të monitorohen për zhvillimin e ideve të tyre nëpërmjet praktikave dhe ekspertizës së Mbretërisë së Bashkuar.
Pas përfundimit të kësaj faze, trajnimet do të vazhdojnë në Londër për të vazhduar eksplorimin e mundësive dhe lidhjeve me investitorët, klientët e mundshëm, ekspertët dhe rrjetin e fushës së teknologjisë. e.xh/j.p/























