TIRANË, 3 tetor/ATSH-Klotilda Saraçini/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ka asnjë lidhje me asnjë pagesë në SHBA, në reagim të akuzave të PD-së për fotografinë me Presidentin e SHBA, Barack Obama.
Gjatë një interviste televizive, Rama tha se kjo çështje rivjen si një përpjekje për të kompensuar në sytë e publikut një çështje tjetër, e cila është një çështje e hapur qartësisht e lidhur me një shkelje flagrante të ligjeve shqiptare dhe me dyshime të rënda për përfshirje të aktorit të tretë përmes financimit të Partisë Demokratike.
Kryeministri Rama theksoi se “kjo është çështje e hetuar dhe gjykuar në SHBA dhe unë po të kisha lidhje me këtë çështje, natyrisht nuk do isha një person tërësisht i papërfshirë, i papyetur dhe i pakonsideruar asgjëkundi në asnjë aspekt nga ana drejtësisë amerikane”.
Kreu i qeverisë tha se “të gjithë e kuptojnë, ata që natyrisht duan të kuptojnë se është thjesht një lojë politike dhe mua s’më intereson”.
Kryeministri Rama theksoi se “unë nuk kam marrë pjesë në asnjë eveniment thjesht kam bërë një foto me Presidentin e SHBA-ve dhe kam bërë një takim me të”.
Ai tha se e gjithë kjo çështje është një lojë politike e ngritur për të mashtruar publikun për një tjetër çështje, e cila vazhdon të jetë nën hetim në Shqipëri, e cila i referohet kryetarit të PD, Lulzim Basha.
“E gjitha kjo bëhet për të krijuar një ngjashmëri të pamundur se, nga njëra anë kemi personazhe të tilla që ngrejnë pyetje që janë të turpshme për një person publik, që i flet një audience, nga ana tjetër kemi një shumë prej qindra-mijëra eurosh, të cilën e ka marrë përsipër kryetari PD-së dhe të cilës nuk i dihet burimi, janë dy gjëra krejt të ndryshme”. /a.g/























