PRISHTINE, 2 tetor/ATSH/- Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje qytetarëve të Drenasit që të ruajnë votën, pasi sipas tij në këtë komunë në mbrëmje ‘ndalen dritat dhe ka persona që vendosin se për kënd të shkojnë ato vota’.
Haradinaj premtoi se çështja e stadiumit nacional do të ndërtohet aty ku është premtuar.
“ Do të ndërtohet stadiumi nacional. Është në territorin tuaj dhe është një vepër e madhe dhe ka ndikim të madh dhe do të ketë rëndësi të jashtëzakonshme. Kemi edhe sistemin e ujitjes, po pastaj mos harroni rruga do të zgjerohet , pra rruga me katër korsi prej Komoranit e deri në Skenderaj do të kryhet”, tha ai.
Gjithashtu Haradinaj tha se edhe pagat në sektorin publik janë rritur.”Çdo fillim viti do të rriten 10 për qind, vlera e kësaj rritje në vitin e parë është 50 e pastaj çdo vit është 55, 60, 65. Pra, rritja e pagave për 10 për qind, vetëm me ulje të informalitetit rreth 4 për qind. Kjo rritje do të fillojë të zbatohet që nga data 1 nëntor”.
KosovaPress/





















