Ballina Flash

Konferenca e Pezës kishte edhe himnin e saj

TIRANË, 16 shtator /ATSH/ – Përkujtohet sot Konferenca e Pezës, mbajtur më 16 shtator 1942. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të forcave antifashiste shqiptare me synim që të formohej një front i përbashkët lufte kundër okupatorit.

Akademiku Vasil Tole shprehet se për Konferencën e Pezës dihet shumë, por ajo që dihet pak ose aspak është fakti se kjo konferencë ka edhe himnin e saj të krijuar në ato vite.

Konferenca mori disa vendime të rëndësishme:

1- Krijimin e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, ku do të bënin pjesë antifashistë pa dallim feje, krahine dhe ideje.
2- Mobilizimin e popullit në luftë kundër pushtuesve fashistë.
3- Ngritjen e Këshillave Nacionalçlirimtarë në të gjithë vendin.
4- Rreshtimin e Shqipërisë përkrahë koalicionit antifashist anglo-sovjeto-amerikan.
5- Krijimin e një Shqipërie të lirë, të pavarur e demokratike pas lufte.

Sa për çështjen e rikthimit të Mbretit Zog u vendos që vendimi të merrej pas lufte nga vetë populli shqiptar.

Lidhur me çështjen e Kosovës, u arrit në përfundimin që ajo të zgjidhej pas luftës, mbështetur në të drejtën e vetëvendosjes. Në fund të punimeve Konferenca zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, me kryetar Kamber Qafëmollën. /a.a/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBM – Swinson: Anulojmë Brexit nëse marrim qeverinë
Artikulli tjetërFoto/ Elbasan, 1700 nxënës për herë të parë ulen në bankat e shkollës