TIRANË, 20 gusht /ATSH – I. Vata/ – Bashkia Bulqizë ka nisur sot aksionin për lirimin e hapësirave publike dhe kthimin e tyre qytetarëve.
Me marrjen e detyrës së re, kryetari i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla, nisi punën për pastrimin e qytetit nga mbetjen urbane, ndërsa sot, punonjësit e bashkisë kanë nisur punën për lirimin e hapësirave publike.
Alla deklaroi sot se koha e ndërtimeve pa leja ka mbaruar, tani hapësirat u kthehen qytetarëve.
“Lirojmë hapësirat publike në vijim të aksioneve të policisë bashkiake! Jo më ndërtimeve pa leje, jo më informalitetit. Më shumë hapësira sociale të lira, do të thotë më shumë mundësi për të qenë më afër njëri-tjetrit! Duke punuar së bashku ne mund t’i japim një dimension tjetër jetës në komunitet”, theksoi ai. /j.p/












