TIRANË, 1 gusht /ATSH/- Prej kohësh, Banka e Shqipërisë ka hedhur hapa të rëndësishëm drejt ekspozimit, pasurimit dhe koleksionimit të veprave të artit pamor, nga autorë të njohur shqiptarë, të cilët kanë qenë dhe mbeten gur themeli në historinë e artit tonë, si dhe nga artistë të gjeneratës së re, që japin kontributin e tyre për zhvillimin e artit modern dhe bashkëkohor.
Kalendari 2019 i Bankës së Shqipërisë prezanton një pjesë të vyer të këtij koleksioni pikturash, të cilat pasqyrojnë më së miri natyrën mjaft të pasur të tij. Ato janë vepra të disa prej artistëve më të mirë shqiptarë.
Në faqen e muajit gusht paraqitet piktura e vitit 2005, me titull “Zadrimore në treg”, vaj në kanavacë, me përmasa 43×64 cm. Piktura është vepër e piktorit të mirënjohur, Zef Shoshi, një nga artistët më të rëndësishëm të arteve pamore të shekullit të 20-të në Shqipëri.
Nisma e Bankës Qendrore në këtë drejtim synon të sjellë të freskët traditën dhe artin shqiptar duke e ripërtërirë atë edhe në botimet e saj, siç është edhe kalendari i vitit 2019. e.xh/












