Ballina Aktualitet

Pogradec, Basha: PD do ulë taksat për biznesin

TIRANË, 30 korrik /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka konsideruar dërgimin e policisë te biznesi si një veprim kriminal, ndërsa premtoi se PD do të ulë taksat për biznesin.

Basha tha se dërgimi i policisë në dyert e biznesit është kriminal, njësoj si çdo politikë fiskale dhe ekonomike që ka ndërmarrë kjo qeveri.

Gjatë një takimi në Pogradec, duke folur për krizën e mbledhjes së të ardhurave, Basha  tha se taksat e rritura dhe favorizimi i paligjshëm i klientëve të qeverisë, janë dy nga faktorët kryesorë që kanë penalizuar biznesin.

“Ndërsa bizneset e vogla dhe të ndershme goditen me policë dhe me taksa të larta, miqtë e qeverisë gëzojnë ligje speciale për ulje taksash”, – u shpreh Basha.

Po ashtu, Basha u kërkoi demokratëve në të gjithë Shqipërinë të informojnë qytetarët për 3 shtyllat kryesore të platformës pro biznes të Partisë Demokratike.

“Biznesi do të ketë një pullë fiskale që tregon që janë kryer detyrimet ndaj shtetit dhe e asnjë zyrtar shteti nuk do të abuzojë me kontrollet ilegale. Asnjë polic nuk do guxojë të dhunojë biznese dhe sipërmarrje. Ne do të ndërmarrim nismën e uljes së taksave për bizneset dhe për të përmirësuar klimën e biznesit në vend. Taksa 9% mbi të ardhurat dhe tatim fitimin, si dhe shmangia e patrullave gjobëvënëse, taksë 0 për biznesin e vogël. Një paketë e plotë incentivash fiskale në shërbim të biznesit dhe investitorëve”, premtoi Basha. /r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKonstituohet këshilli bashkiak i Korçës, Sotiraq Filo bën betimin
Artikulli tjetërShtyhet deri në 15 shtator, afati për aplikimet për oficerë të Policisë Kriminale