TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Gjykata e Shkodrës konfirmoi sot mandatin e Valdrin Pjetrit, si kryetar i bashkisë së Shkodër, i zgjedhur fitues në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Vendimi u mor sot në një seancë ku ishte i pranishëm vetë kryebashkiaku Pjetri, i shoqëruar nga përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Eridjan Salianji.
Seanca gjyqësore u drejtua nga gjyqtari Hasan Selimi.
Tre ditë më parë, kjo gjykatë e shtyu vendimin për konfirmimin e mandatit të Valdrin Pjetrit, për tu njohur me provat e paraqitura nga Bashkia e Shkodrës, me kryetaren në detyrë, Voltana Ademi, që pretendonte parregullsi në procesin zgjedhor.
Bashkia e Shkodrës u përfaqësua në këtë proces nga avokati Jordan Daci.
“Këto nuk ishin pretendimet e PD-së, ishin pretendimet e kryetares së bashkisë në detyrë, Voltana Ademi. Gjykata vendosi kthimin e padisë dhe akteve duke gjykuar që ky ishte vendimi i saktë për këtë rast. Gjithsesi ne nuk i heqim asnjë presje pretendimeve tona për sa i përket parregullsive të fitimit të gjithë mandateve duke përfshirë edhe mandatin e sapo vërtetuar nga Gjykata e Shkodrës”, tha ai.
/m.m/























