De Ligt shkon tek “Juventus”, dështon sulmi i “Barcelonës”  

TIRANË, 15 Korrik /ATSH/ – Matthijs de Ligt do të luajë me Juventusin. Mbrojtësi holandez pritet sot në Torino ku do të kryejë vizitat mjekësore e më pas do të hedhë firmën mbi kontratë. Para se Ajaxi dhe “Zonja e Vjetër” të binin dakord për transferimin e 19-vjeçarit për 70 milionë euro (me klauzolë largimi 150 milionë euro), Barça bëri një përpjekje të fundit për De Ligt.

Presidenti i Barcelonës, Bartomeu, kishte planifikuar të bënte një udhëtim ekspres në Amsterdam, ashtu siç bëri në janarin e kaluar, kur arriti të bindte Frenkie de Jong, edhe pse mesfushori ishte shumë pranë PSG-së.

Siç raporton “Sportmediaset”, Bartomeu dëshironte të fliste ballë për ballë me lojtarin, t’i shpjegonte hollësisht propozimin e tij, që ta bënte të kuptonte se Barcelona është më tepër se një ekip futbolli.

Futbollisti, pavarësisht se kishte avancuar shumë në bisedime me Juven, nuk ngurroi që të takohej me drejtuesin me të lartë “blaugrana”.

Por këmbënguli që gjithçka të bëhej nëpërmjet menaxherit të tij, Mino Raiola.

Edhe pse e dinte përgjigjen që do të merrte nga Raiola, Bartomeu e telefonoi menaxherin e holandezit, i cili i vuri kushte për realizimin e takimit. Klienti i tij mund të transferohej në Barcelonë vetëm nëse plotësoheshin të gjithë kërkesat ekonomike, që Juvja i kishte pranuar (komision 11 milionë euro dhe pagë 10 milionë euro për futbollistin).

Duke pasur parasysh këto kërkesa, Bartomeu, i cili e ka të qartë së një lojtar e 19-vjeçar, sado cilësor të jetë, nuk mund të fitojnë më shumë se futbollistët të cilët kanë kaluar tashmë shumë vite në klub dhe kanë fituar të gjithë titujt e mundshëm, i tha Raiolas që nuk kishte më kuptim të zhvillohej takimi.

/gj.m/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.