Tolis: Programi ynë 4-vjeçar do e shndërrojë Dropullin në bashki model

TIRANË, 23 qershor /ATSH-A.ALLA/ – “Dua ta nis me një falënderim për investimet që janë bërë në Dropull gjatë 3-vjeçarit të fundit, si rikonstruksioni i rrjetit të brendshëm elektrik, unaza e Pogonit, caktimi i fshatit Sotirë si një nga 100 fshatrat turistikë”, – tha kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Dropull Dhimitër Tolis gjatë takimit elektoral në këtë bashki.

“Slogani ynë elektoral është “Një fillim i ri për Dropullin dhe Pogonin tonë”. Unë, së bashku me kandidatët për këshilltarë bashkiakë do realizojmë disa objektiva që kanë në fokus shndërrimin e zonës tonë në një bashki model”, – tha Tolis.

Tolis vijoi se, “problemi kryesor këtu është uji i pijshëm, me investimet nga bashkia ne do krijojmë mundësinë që në bashkinë tonë uji të jetë 24 orë. Një problem tjetër që kërkon zgjidhje imediate është certifikimi i pasurisë së paluajtshme dhe ne do krijojmë mundësitë që të ndihmojmë qytetarët tanë për zgjidhjen e kësaj çështje”.

“Gjithashtu do rrisim përqindjen e buxhetit për arsimin me qëllim që fëmijëve tanë ti plotësojmë të gjitha kushtet. Sigurisht do përmirësojmë dhe infrastrukturën rrugore. Mjeku i familjes do jetë në dispozicionin e gjithë banorëve të Dropullit”, – theksoi Tolis.

Ai shtoi se, “një pikë tjetër e rëndësishme është organizmi i fermerëve në shoqata dhe grumbullimi i produkteve bujqësore dhe blegtorale, certifikimi i tyre dhe krijimi i mundësive që këto produkte të dalin nëpër tregje”.

“Kjo është një pjesë e programit tonë për 4-vjeçarin e ardhshëm. Ne do jemi sa më pranë banorëve duke i ndihmuar ata në çdo drejtim. Ndihma dhe mbështetja jonë nuk do jetë vetëm për banorët që jetojnë aktualisht në bashkinë e Dropullit, por edhe për qytetarët që jetojnë dhe punojnë në emigrim. Pra do krijojmë një urë bashkëpunimi me njerëzit tanë që jetojnë jashtë vendit, kryesisht në shtetin helen”, – tha Tolis.

“Me këtë forcë dhe vullnet ne do realizojmë atë që deri sot dukej një ëndërr e largët. Ne do i realizojmë këto jo me premtime boshe, po me vepra konkrete të cilat do sjellin lehtësimin dhe zgjidhjen e problemeve të banorëve në kohë reale”, – përfundoi kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Dropullit Dhimitër Tolis. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.