Rabiot dhurata e parë për Sarrin

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ – Adrien Rabiot, do të jetë dhurata e parë e drejtuesve të “Juventusit” për trajnerin e ri të “Zonjës së Vjetër”, Maurizio Sarri.

Sipas një shkrimi të publikuar të premten, në versionin online të “La Gazzetta”, theksohet se drejtori i “Juventusit”, Fabio Paratiçi dhe mesfushori i “Paris Saint German” kanë gjetur marrëveshjen për transferimin e 24-vjeçarit në Torino.

Sipas asaj që shkruan “La Gazzetta”, Rabito duket se ka rënë dakord të nënshkruaj një kontratë pesë vjeçare me bardhezinjtë nga ku do përfitojë 7 milionë euro në sezon. Rabiot është një tjetër goditje e rëndësishme në mesfushë për “Juventusin” që siguron kështu mesfushorin të disfatë me kosto 0, pasi Rabiot në 1 korrik mbyll kontratën që e lidhte me PSG-në.

Rabiot është blerja e dytë sezonale me kosto 0 e “Juventusit”, pas blerjes së Ramsey nga “Arsenal”. Edhe Ramsey ashtu si Rabiot mbyll kontratën e tij në korrik me skuadrën që mbante pronësinë sportive të futbollistit, pra “Arsenali”.

Sipas “La Gazzettas”, zyrtarizimi i Rabiot mund të vijë edhe këtë fundjavë. Mamaja e futbollistit, Veronique, i ka dhënë fjalën “Juventusit” dhe po punon me drejtuesit bardhezi për të zgjidhur dhe detajet e fundit para firmës në kontratë të Rabiot me “Juventusin”.

Rabiot edhe pse është vetëm 24-vjeç numëron 20 trofe në karrierën e tij. Rabiot ka fituar 6 tituj kampion në Francë, 4 herë fitues i Kupës së Francës , 5 superkupa France, si dhe 5 herë fitues i Ligës së Kupës franceze.

Ai është lindur në 3 prill në vitin 1995 në Saint Maurice. Luan në pozicionin e mesfushorit të qendrës dhe ka një gjatës 188 centimetra. Edhe pse shtatlartë, Rabiot ka një teknikë dhe vizion loje të jashtëzakonshëm, çka e bënë atë, jo vetëm një rikuperues topash, por dhe një organizator të mirëfilltë./a.f/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.