TIRANË, 17 qershor/ATSH/ – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë një diskutimi me kandidatët për këshilltarë bashkie për platformën 4-vjeçare të qeverisjes së Elbasanit me Gledian Llatjan, theksoi se gjatë katërvjeçarit të ardhshëm bashkia e Elbasanit do të vijojë rrugën e zhvillimit ekonomik.
Balla nënvizoi se kandidatët e Partisë Socialiste i janë përgjigjur thirrjes për zgjedhje në 30 qershor. “Ne i jemi përgjigjur thirrjes për zgjedhje më 30 qershor. Kandidatët tanë në të gjithë vendin po prezantojnë programet e tyre. Ne do kishim dëshirë që Gledian Llatja të kishte një kandidat përballë, me të cilin të ballafaqonte programin, por kundërshtari politik nuk pranoi të marrë pjesë në zgjedhje, në këtë ankand, ku qytetarët ftohen të zgjedhin programin që duan për katër vitet e ardhshme. Glediani i është përgjigjur thirrjes dhe ka të gjithë mbështetjen e Partisë Socialiste”, – tha Balla.
Balla në fjalën e tij, i bëri thirrje kandidatëve për këshill bashkiak të Elbasanit të kenë një bashkëpunim më të ngushtë me Parlamentin qendror.
“Parlamenti qendror dhe ai vendor duhet të jenë shumë të lidhur mes tyre për të përçuar në Kuvend problematikat kuvendore bashkiake”, – tha Balla.
Sipas tij, “bashkia e Elbasanit me mbështetjen e Qeverisë e kanë vendosur Elbasanin tashmë në një themel të fortë zhvillimi ekonomik. Por, duhet që ne të përshtatim programet tona, projektet tona me nevojat e këtij katërvjeçarit të ri, që nis pas 30 qershorit”.
“Zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor. Këshilli i ri bashkiak i Elbasanit do të nisë punën në fund të muajit korrik apo në ditët e para të gushtit. Glediani duhet të prezantojë në ditët e para, një program pune katërvjeçar, të ngjashëm me atë që prezanton kryeministri para Kuvendit, gjatë konstituimit të qeverisë në nisje të mandatit”, – tha Balla.
“Pra, le ta fusim punën e këshillit bashkiak në një qasje të re krahasuar me eksperiencën e mëparshme”, – tha Balla.
“Për këtë duhet të kemi një plan se si e shohim Elbasani të projektuar nga viti 2019-2023. Bashkia Elbasan ka pasur një program përtej 2023-it, por le të themi se tashmë duhet ta përshtatim të gjitha nevojat që kemi. Infrastruktura mbetet prioritet”, – tha Balla.
“Ne na duhet një panoramë e qartë e objekteve ku duhet të përqendrohet puna jonë dhe investimi jonë”, – tha Balla.
“Arsimi ka pasur investime të shumta me mbështetjen e qeverisë. Janë ristrukturuar dhe ndërtuar shumë shkolla e çerdhe. Por ka ende shkolla e çerdhe ku duhet të investohet dhe për këtë qeveria jep mbështetje të plotë për të garantuar infrastrukturë arsimore të njëjtë si për ata që jetojnë brenda kalasë së Elbasanit, ashtu dhe për ata që jetojnë në Labinot-Mal”, – vijoi Balla.
“Kultura dhe turizmi po ashtu janë në fokus. Programi ‘100 fshatrat’ ka përfshirë dhe në Elbasan dy fshatra, por ne kemi më shumë më shumë se kaq, prandaj duhet të kemi një studim për secilën prej tyre për të pasur program zhvillimi turistik”, – tha Balla.
“Ne jemi e vetmja bashki në Shqipëri, që ka zgjidhur përfundimisht historinë shumë vjeçare të trajtimit të mbetjeve. Jemi bashkia e parë që kemi ngritur një skemë trajtimi të plotë për mbetjet nga e cila ka 0 ndotje mjedisore”, – nënvizoi Balla.
“Për shkak të kësaj skeme janë përfituese dhe bashkitë rreth Elbasanit, si Cërriku, apo Librazhdi, të cilat po përfitojnë nga ky investim i bërë, landfilli i ri”, – tha Balla.
“Po ashtu konstatojmë me shumë krenari si spitali i Elbasanit ka peshë në rajon sa i takon detyrës dhe shërbimit që kryen kundrejt pacientëve. Për herë të parë, – theksoi Balla, – te ky spital ofrohen shërbime që nuk ishin në imagjinatën tonë 5 vite më parë, flas këtu për hemodializën, apo trajtimin e sëmundjeve tumorale”.
“Po ashtu kemi bërë dhe rikonstruksion të plotë të qendrave shëndetësore dhe brenda mandatit s’do ketë qendër shëndetësore jashtë standardit që kemi vendosur”, – garantoi Balla.
Ai tha se dhe bujqësia ka pasur një vëmendje të shtuar. “Për herë të parë gjatë dy viteve të fundit kemi vënë në dispozicion të fermerëve kanale vaditëse të nivelit të parë dhe të dytë, pasi niveli i tretë është përgjegjësi e komunitetit. Elbasani sot është bashkia e parë në Republikë sa i takon kontrollit të territorit të shkollave me kamera 24 orë”, – tha Balla.
Në fund ai tha se sa i takon rendit dhe sigurisë në programin e Elbasanit të katër viteve të ardhshme duhet të jetë dhe policimi në komunitet. “Është shumë e rëndësishme që të jetë pjesë e programit dhe policimi në komunitet, pasi duhet të forcohet edhe më tej bashkëpunimi qytetarë polic”, – përfundoi Balla. /j.p/























