TIRANË, 30 maj/ATSH/ – Fragmenti i dokumentit që kishte humbur në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, një vulë plumbi në një dokument të shekullit të 17-të, që në terminologjinë e fushës quhet sigjil, është gjendur.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave bën të ditur sot se “hetimet po vijojnë për zbardhjen e mëtejshme të rrethanave”.
“Koha kur dokumentet humbisnin në arkiv, zbuloheshin pas muajsh a vitesh dhe për to mbahej vetëm një akt administrativ pa zhvilluar asnjë hetim, ka përfunduar një herë e mirë”, theksojnë Arkivat.
Sipas DPA, sistemet e sotme të sigurisë mundësojnë që çdo ngjarje të zbulohet brenda një dite pune për të marrë masa të menjëhershme, si edhe në rastin konkret.
DPA falënderon pjesën më të madhe të medieve për raportimin e kujdesshëm dhe korrekt, që mundësoi moscenimin e hetimit dhe përpjekjeve tona për zbardhjen e ngjarjes.
Po ashtu DPA garanton opinionin publik, përfshi dhe ata pak që rendën të fërkojnë duart, se Arkivi Qendror Shtetëror është sot mjedisi më i sigurt për ruajtjen e dokumenteve të memories sonë kolektive kombëtare dhe ngjarjet me humbje dokumentesh pa përgjegjës i përkasin së shkuarës dhe nuk mund të ripërsëriten”.
Vula e vitit 1640 prej datës 10 maj nuk dihej se ku gjendej. /k.s/j.p/























