Ballina Aktualitet

SHÇBA dhe Prokuroria, Task-Force të përbashkët

TIRANË, 23 maj/ATSH- A. Fortuzi/-“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), nënshkruan të enjten një Memorandum Bashkëpunimi.

Ky memorandum ka si synim rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet institucioneve të ngarkuara me ligj për të realizuar 7 detyra kryesore. Memorandumi u nënshkrua nga Drejtuesja e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, Elizabeta Imeraj dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHÇBA-së,  Muhamet Rrumbullaku, në praninë e zyrtarëve të SHÇBA-së dhe prokurorë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë.

Domosdoshmëria e këtij memorandumi lindi pas problematikave të evidentuara në këtë periudhë kohore si dhe numrin në ulje të  hetimeve pro-aktive dhe të referimeve të procedimeve penale.

Në këtë Memorandum është rënë dakord ngritja e një Task-Force të përbashkët, me qëllim forcimin e veprimeve të përbashkëta hetimore për çështjet që lidhen me korrupsionin e zyrtarëve, lëndët narkotike, veprat penale në procesin zgjedhor, veprimet arbitrare dhe tejkalimin e kompetencave të policisë së shtetit gjatë ushtrimit të detyrës.

Pikat që ky memorandum duhet të zbatojë janë; Hetimet  për  implikime të subjekteve  të SHÇBA-së në rastet e kultivimit, trafikimit  të  lëndëve narkotike. Mbikëqyrja dhe monitorimi i subjekteve policore në respektimin e ligjit në fuqi para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, Qershor 2019.

Mbikqyrja dhe monitorimi i subjekteve të SHÇBA-së, për zbatimin e ligjit në fuqi, kryesisht të masave të ruajtjes se rendit dhe sigurisë publike, në aktivitete të ndryshme social kulturore dhe tubimet. Hetimeve për aktet korruptive, shpërdorimit të detyrës, favorizime të subjekteve të shërbimit  për lejimin e ndërtimeve  pa leje, kryerjen e lojërave të fatit, etj.

Hetimet në lidhje me aktet korruptive në realizimin e prokurimeve publike nga ana e subjekteve të SHÇBA-së.Hetimet në lidhje me respektimin dhe garantimin e të drejtave dhe lirive personale të njeriut, gjatë ushtrimit të detyres nga subjektet e SHÇBA-së.

Si dhe çdo fushë tjetër, ku implikohen subjektet e SHÇBA-së në  përmbushjen e rregullt të detyrës nga ana tyre. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBM – May riorganizon qeverinë
Artikulli tjetërSHBA – Amazon i shet policisë njohjen faciale