TIRANË, 19 maj / ATSH/- Në tremujorin e parë të vitit 2019, aktiviteti kreditues i bankave ka konfirmuar zhvillimet pozitive të vërejtura në fund të vitit 2018.
Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se, kredia për sektorin privat u rrit me 13 miliardë lekë në terma nominalë për këto tre muaj, ndërsa shënoi një rritje vjetore prej 4,5%. Për të njëjtën periudhë, stoku i kredisë në raport me PBB-në vlerësohet të jetë përmirësuar me 0,4 pikë përqindje, në 35,8%.
Duke marrë në konsideratë edhe mbiçmimin vjetor të lekut ndaj valutave, rritja
vjetore e kredisë së sektorit privat ka mbetur pranë nivelit 6%. Megjithatë, kthimi i këtyre zhvillimeve afatshkurtra në një tendencë rritjeje të qëndrueshme mbetet subjekt i uljes së mëtejshme të rrezikut të kredisë, përqasjes më aktive të bankave ndaj kredidhënies, si dhe rimëkëmbjes së qëndrueshme të kërkesës për kredi, në linjë me aktivitetin ekonomik në vend.
Banka e Shqipërisë vëren se, zgjerimi i portofolit të kredisë është mbështetur nga kredia në lekë, e cila u rrit me 3.2 miliardë lekë, ose 8,1% krahasuar me një vit më parë. Këto ritme rritjeje mbeten më të larta se mesatarja e shënuar për vitin 2018 (rreth 6%), duke reflektuar likuiditetin e mirë të bankave dhe kërkesën e bizneseve për financim për mbulimin e nevojave për likuiditet. Krahas kreditimit në lekë, përmirësim ka shfaqur edhe kredia në valutë.
Norma nominale e rritjes së saj iu rikthye vlerave pozitive pas një periudhe njëvjeçare që shënonte tkurrje. Ndërkohë, stoku i kredisë në valutë vijon të ndikohet nga mbiçmimi vjetor i lekut ndaj monedhave kryesore. Rregulluar për këtë efekt, ritmet e rritjes vjetore
mesatare të këtij portofoli shfaqen në nivele të qëndrueshme, rreth 4,4%. /e.xh/r.e/























