TIRANË, 3 maj/ATSH- A. Fortuzi/- Prefektura e Shkodrës dhe Drejtoria Rajonale Arsimore e Qarkut Shkodër kanë ndërmarrë një nismë për të rritur sigurinë në qarkun e Shkodrës, përmes aktiviteteve sensibilizuese për të rritur bashkëpunimin e komunitetit me Policinë e Shtetit, me moton: “Nëse sheh diçka, thuaj diçka”.
Në aktivitetin e zhvilluar në qytetin e Shkodrës të premten, për të promovuar këtë nismë morën pjesë zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuka dhe drejtues të tjerë të rëndësishëm të jetës dhe komunitetit shkodran.
Valdrin Pjetri, prefekt i qarkut të Shkodrës tha se kjo nismë ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit të komunitetit me Policinë e Shtetit. “Siguria dhe rendi publik është diçka që duhet të na bashkojë të gjithëve. Krimi jo vetëm në Shqipëri, por dhe në të gjithë botën, nuk ka ngjyrë, nuk ka fe, nuk ka politikë, apo krahinë, por ka vetëm një qëllim të vrasë shpresën”, tha Pjetri.
“Prandaj jemi sot këtu për të qenë të gjithë të bashkuar, prefektura, drejtoria arsimore, Policia e Shtetit, komuniteti fetar dhe jo vetëm, për të rritur sigurinë. Jemi këtu për të forcuar rrugën e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit pasi nuk mundet që Policia ta luftojë e vetme krimin. Prandaj thirrja ime është sot të denonconi çdo paligjshmëri që shikoni, denonconi dhe ato që s’bëjnë detyrën në Policinë e Shtetit. Ju garantoj se do të ruhet anonimati”, tha Pjetri.
“Në pesë qarqet nxënësit e shkollave të mesme do të jenë të angazhuar në aktivitete sensibilizuese për të përcjellë mesazhin e rëndësishëm të bashkëpunimit për sigurinë e përbashkët. Shkodra sot, – tha Pjetri, – ka një vëmendje të shtuar nga qeveria shqiptare, e cila ka rritur mbështetjen ndaj këtij qarku. Të gjithë vizitorët duhet të ndjehen më të sigurt gjatë vizitave në qarkun tonë”.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu u shpreh se qytetarët janë zëri dhe forca e Policisë së Shtetit. Sipas tij, indiferentizmi i qytetarëve është forca e krimit.
“Kjo nisëm e ndërmarrë sot nga prefektura është pikërisht rruga e duhur për të qenë një hap më afër policisë. Një iniciativë domethënëse e ndërmarrë nga prefekti qarkut. Pa mbështetjen e komunitetit policia e ka të vështirë të jetë efikase. Format të ngjashme sensibilizimi kanë ndërmarrë dhe vende të tjera në botë dhe kanë pasur sukses”, tha Veliu.
“Indiferentizmi nuk është rruga për të luftuar krimin. Jemi qytetarë të këtij vendi dhe kemi përgjegjësinë e sigurisë për personat krah nesh dhe përballë nesh. Përmes denoncimit ju parandaloni ndoshta pasoja më të mëdha ndaj personave që janë pranë jush. Numri 112 dhe 129 është aq i lehtë, është falas. Ne jemi këtu, jemi pjesë e juaja, askush prej jush nuk është vetëm. Nga janari deri më sot janë dhjetëra e qindra raste ku qytetarët kanë denoncuar në fushën e narkotizmit, sigurisë rrugore… etj. Qytetari është aleati më i rëndësishëm i Policisë së Shtetit”, tha Veliu. /j.p/















