TIRANE, 20 prill/ATSH/- Pas kremtimit të “Udhës së Kryqit, bekimi i ushqimit është një tjetër ritual i besimtarëve katolikë në Festën e Pashkëve.
Pak orë para kremtimit të ngjalljes së Krishtit, besimtarët katolikë i janë drejtuar Kishës Katolike për të marrë bekimin e ushqimeve për të festuar këtë moment të rëndësishëm të besimit të krishterë.
Në Tiranë, besimtarët i janë drejtuar Katedrales të Shën Palit, por edhe në të gjitha kishat katolike në mbarë vendin për të bekuar ushqim e festës së Pashkës.
Besimtarët katolikë thonë se në këtë ditë merret bekimi i Zotit për ushqimet e familjes e për këtë në mënyrë të veçantë ata i drejtohen Kishës Katolike duke mbajtur në duar një shportë me ushqimet që do të përmbajë tryeza e së dielës së Pashkës, ku nuk mungon Buka e Pashkës, një shishe vere, pak djathë dhe hudhra të njoma që simbolizojnë ardhjen e pranverës si dhe veza e kuqe, simboli i ngjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjes.
Edhe në Lezhë dhe Shkodër, besimtarët i janë drejtuar kishës për të bekuar ushqimin e Festës së Pashkëve.
Besimtarët katolikë në mbarë botën festojnë këtë mbrëmje ngjalljen e Krishtit e kjo festohet përmes një meshe në mesnatë në të gjitha kishat katolike për të vazhduar të dielën me drekën e Pashkëve.
./a.g/






















