TIRANË, 12 prill/ATSH/ – Ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo ka bërë thirrje që partitë politike në Shqipëri të dialogojnë për të çuar përpara reformat në vend.
Gjatë një interviste për “Report TV”, ambasadori italian theksoi se kriza mes palëve duhet të kalohet, duke bërë thirrje që protestat e opozitës të jenë paqësore dhe jo të dhunshme.
“U bëra thirrje të dyja palëve. Së pari, opozitës, në lidhje me protestat që, nëse do të vazhdojnë, do të duhet të ruajnë formë paqësore dhe kjo më duket një vijë e kuqe shumë e qartë. Unë kam thënë se shumica ndoshta ka më shumë përgjegjësi, por do të thosha edhe më shumë interes që situata në vend të mbetet e qetë, e veçanërisht që të rifillojë dialogu politik, që për fat të keq gjatë gjithë kësaj legjislature ka qenë i munguar, pikërisht sepse vendi duhet të përballet me disa afate dhe reforma shumë të rëndësishme, reforma që nuk mund të miratohen nëse mungon plotësisht dialogu me pothuajse gjysmën e elektoratit dhe deputetët që e përfaqësojnë. Kështu që unë besoj se nëse qeveria dëshiron të vazhdojë me këtë përpjekje reformuese që ne e mbështesim, ka nevojë të dialogojë me opozitën”, – theksoi Cutillo.
Sipas ambasadorit Cutillo, kriza politike mund të ndikojë në hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, duke theksuar se Italia mbështet integrimin e vendit tonë.
“Rreziku ekziston, vendimi e dimë, do të jetë politik, paçka se bazohet në të dhëna objektive dhe do të ishte për të ardhur keq sepse, në gjykimin tim, dhe nuk e them vetëm për arsye se Italia është dhe mbetet mbështetëse e palëkundur dhe e bindur e nevojës për të hapur negociatat – por në çdo rast të dhënat thonë se ka progres, se vendi ka bërë kaq shumë hapa përpara, pikërisht në drejtimet që BE-ja ka kërkuar, dhe për fat të keq rrezikon që këto përparime të mos njihen për një sërë arsyesh”, – u shpreh ai.
I pyetur rreth kërkesës së Kryeministrit Rama për të zhvilluar dialog me opozitën për Reformën Zgjedhore, Cutillo i sugjeron shumicës të ndërmarrë masa të menjëhershme në funksion të Reformës Zgjedhore, për të cilat nuk ka nevojë të presë opozitën, por që do krijonin klimë besimi tek ajo për zgjedhjet e 30 qershorit.
“Masat që kërkon OSBE-ja janë kryesisht administrative, pra kërkojnë që qeveria, kushdo që ta ketë në dorë administrimin e vendit, të marrë masa për të përmirësuar – le të themi – kushtet e votimit. Unë do të përqendrohesha te nevojat thelbësore dhe më të afërta. Po afrojnë zgjedhjet vendore dhe me ç’po kuptojmë, kemi sërish rrezikun që një pjesë e rëndësishme e forcave politike të mos paraqitet. Prandaj, si fillim – në interes të demokracisë dhe të dialogut – administrata mund të vendosë në tryezë disa masa që japin garanci, pa kërkuar asgjë në këmbim. Dy vjet më parë u bë e nevojshme ndërhyrja ndërkombëtare për të gjetur një kuadër garancish të mjaftueshme për të bindur opozitën që të hynte në zgjedhje. Shpresoj që kësaj here të mos jetë më e nevojshme. Më pas, nëse opozita do të refuzonte gjithsesi të merrte pjesë, do ta kishim të gjithë të qartë se ku qëndrojnë përgjegjësitë: kush bëri gjithçka që mundi dhe kush, për zgjedhje politike iu shmang garës zgjedhore që, e theksoj, ishte thelbi i demokracisë”, – u shpreh Cutillo.
Sa i përket ecurisë së Reformës në Drejtësi, Cutillo u shpreh se kjo reformë po ecën mjaft mirë përpara, duke hedhur poshtë edhe mundësitë që mazhoranca mund ta kontrollojë atë.
“Kjo reformë po ecën mirë përpara, është një reformë shumë komplekse, ndoshta në gjykimin e mëvonshëm sot mund të sugjerojmë ndonjë ndryshim, por në tërësi është një reformë që po shkon sikurse ishte parashikuar, në afate kohore më të gjata, ndoshta sepse në letër disa hapa dukeshin më të thjeshta se sa dolën në praktikë, por në thelb brenda kuadrit të përcaktuar, një kuadër ky, e përsëris, i miratuar njëzëri, ndaj dhe për këtë arsye mbart kontrolle dhe ekuilibra të cilat e ngadalësojnë vënien në zbatim të saj. Nuk besoj se akuzat për përpjekje të mazhorancës qeverisëse për zotërimin e reformës janë të bazuara. Reforma ka disa mekanizma të saj që në thelb janë të pavarura, që monitorohen”, – theksoi Cutillo.
/e.caushi/























