Ballina Aktualitet

Uniforma ushtarake shqiptare, së shpejti pjesë e OKB-së

TIRANË, 29 mars /ATSH/- Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku, shprehu gatishmërinë e përhershme të ushtarëve shqiptarë për të qëndruar me dinjitet në vijën e frontit të Aleancës së NATO-s.

Në fjalën përshëndetëse, gjatë aktivitetit për 10- vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, që u organizua të premten në Tiranë, Kollçaku tha se, “një brez i tërë ushtarakësh kanë punuar me vetëmohim dhe përkushtim për transformimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosuar, që Shqipëria të jetë sot një vend partner dhe një 10-vjeçar si anëtar i NATO-s”.

“Mbështetja e gjerë publike, e qeverisë dhe ndihma e aleatëve tanë kanë qënë dhe do të jetë energjia dhe fuqia e forcave tona ushtarake. Gjej rastin në këtë ditë të shënuar, që të siguroj taksapaguesit se çdo kosto e tyre do të jetë detyrim dhe përgjegjësi e përkushtim i njerëzve me uniformë për t’ju përgjigjur çdo nevoje të brendshme dhe detyrimeve ushtarake euroatlantike”, – tha Kollçaku.

Në ceremoninë e 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, është momenti, vijoi ai, të garantoj aleatët tanë të NATO-s se ushtarakët tanë do të jenë të gatshëm për çdo mision sa herë të kërkojë Aleanca. Ne do të jemi garant me besën e shqiptarit dhe vullnetin ushtarak deri në sakrificë për të qëndruar krah për krah me kolegët tanë të Aleancës në situatat më të vështira.

Kollçaku tha se, ne jemi një forcë e vogël në numër modeste në kapacitete, por të kudondodhur për emergjencat e komunitetit në çdo vend.

“Ushtarakët tanë tanë janë sot në Afganistanin e largët në Letoni, Kosovë, detin Egje dhe në shumë struktura të NATO-s, uniformat ushtarake shqiptare janë pjesë e misionit të Bashkimit Europian në Bosnjë e Hercegovinë dhe Mali, shumë shpejtë do të jenë dhe pjesë e OKB-së. Shërbimi i tyre është nderi dhe krenaria e forcave të armatosura të vendit tonë”, – theksoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm.

Ai shprehu mirënjohje për ushtarakët që kanë sakrifikuar jetën në misionet e NATO-s kudo në botë dhe theksoi se, “gjithçka për rritjen e sigurisë brenda Aleancës si përfaqësimi i qenësishëm i Shqipërisë në NATO do të bëjë më të mirën për të kontribuar për sigurinë në vend, rajon e më gjerë”. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLiria e medieve, Basha: Asnjë kufizim gazetarëve për ngjarjet e opozitës
Artikulli tjetërBalla me gazetarët italianë: Turizmi, sektor strategjik me kontribut të ndjeshëm në ekonomi