TIRANË, 29 mars /ATSH/- Kredia për bizneset, individët dhe kompanitë shtetërore arriti në fillim të këtij viti në 541.5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej gati 1% në krahasim me muajin e mëparshëm, bëri të ditur Banka e Shqipërisë.
Kredia për sipërmarrjet në euro u rrit me 2% me bazë mujore, ndryshe nga ajo në lekë po për të njëjtën kategori, që u zgjerua me 0,6% në raport me muajin e mëparshëm.
E njëjta tendencë rritje regjistrohet edhe për kredinë dhënë individëve, ku rritja në euro me bazë mujore ishte 1,4% dhe ajo në lekë me 0,4%.
Në fund të muajit shkurt, pesha e kredisë në lekë shënoi një ulje të lehtë, nga 50,4% në 50%, ndryshe nga tendenca e muajve të kaluar kur huaja e dhënë në monedhën vendase po shënonte një tendencë rritëse, citon BSH-ja. /e.xh/j.p/






















